Maqedoni, vijojnë tensionet ndëretnike

Në Maqedoni s’kanë të ndalur provokimet etnike dhe fetare. Në muret e një xhamie në qytetin e Manastirit, mbrëmjen e së martës persona të panjohur kanë shkruar grafitin ‘Vdekje për shqiptarët’.

Në të njejtën natë zjarri i është vënë edhe një kishe në Recicë të Tetovës, por nga djegia e tërësishme, kishën e kanë shpëtuar banorët shqiptarë të fshatit.

Fajtorë për problemet e fundit është qeveria, e cila në këtë mënyrë po tenton ta largojë vëmendjen e qytetarëve nga problemet reale, thanë deputetët e opozitës në seancën e Komitetit për Marrëdhënie Ndëretnike në Parlamentin e Maqedonisë e cila u thirr pikërisht për të diskutuar mbi problemet që acaruan raportet mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

“Ne nuk kemi probleme konfesionale, realisht populli shqiptar këtu ka probleme me qeveritë e të kaluarës dhe tanishmes, jo me popullin maqedonas. Këto momente të reja janë shumë artificiale, momente të cilat i prodhon kuzhina, ajo kuzhinë dihet kush është, institucionet shtetërore”, deklaroi Orhan Ibrahimi, deputet i PDSH-së.

Deputeti i partisë shqiptare në pushtet BDI, Xhevat Ademi tha se këto incidente mund të hapin probleme shumë të mëdha në vend. Ai ftoi institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë fuqishëm dhe të nxjerrin para drejtësisë nxitësit e këtyre incidenteve.

“Edhe një kishë tjetër u tentua të digjet mbrëmë në Tetovë dhe e dini kush e ka pushuar zjarrin, banorët fqinjë shqiptarë, sepse ajo është kishë shqiptare. Ndër shqiptarët, ndër shekuj ka bashkëjtuar toleranca fetare. Nuk do lejoj që dikush populist shqiptar t’ia mvesh etiketën e fondamentalizmit”, tha Xhevat Ademi, deputet i BDI-së.

Në seancën e Komitetit për Marrëdhënie Ndëretnike, ku u diskutua për problemet e fundit të pranishëm ishin përfaqësues të ambasadave të huaja, të shoqërisë civile dhe bashkësive fetare. Në këtë seancë kryetari i Vevcanit refuzoi të kërkojë falje për fyerjet që iu bënë shqiptarëve dhe muslimanëve në Karnavalin e Vevcanit, që ishin shkas për acarimin  raporteve fetare dhe etnike në Maqedoni.

Top Channel