Samuel Zhbogar, ish-ministri i Jashtëm slloven, ka nsiur të mërkurën zyrtarisht punën si përfaqësues special dhe shef i delegacionit të BE-së në Kosovë.
Përpara se të mbërrijë në Prishtinë, sic pritet të hënën e ardhshme, diplomati europian ka deklaruar për një agjenci sllovene të lajmeve se gjatë mandatit të tij synon të afrojë Kosovën me BE-në, duke ndihmuar në ndërtimin e shtetit të së drejtës.
Intervista qarkulloi rrufeshëm në internet. Agjencia serbe “Emportal” citonte për burim agjencinë maqedonase “MIA”, e cila e bazuar në informatat e mara nga simotra kroate “Hina”, zbardhte intervistën që Zbogar jepte në Lubianë për agjencinë sllovene “STA”.
“Qëllimi im është të sjell sa më shumë BE në Kosovë që të jetë e mundur, dhe të sjell Kosovën sa më shumë afër BE-së që të jetë e mundur. Është në interesin tonë të shohim që situata në Kosovë të zhvillohet në drejtimin e duhur dhe që të përparojë gradualisht”, ka thënë Zbogar.
Në këtë intervistë ai rrëfen se pritet nisja e shpejtë e bisedimeve Kosovë-BE për një marrëveshje tregtare dhe se pritet të bëhen hapa për afrimin e Kosovës me Unionin. Qëllimi kryesor sipas tij, është aftësimi i Kosovës për të miratuar standartet dhe vlerat europiane.
Ndër të tjera, diplomati i ri i shërbimit të jashtëm të BE-së vlerëson se Kosova përballet me dy sfida madhore: ndërtimin e institucioneve të shtetit dhe të gjitha institucioneve të tjera në respekt të shtetit të së drejtës, demokracisë e të drejtave të njeriut; dhe rregullimin e situatës në veriun e Kosovës, që në termat politikë, Zbogar e nënvizon si një sfidë edhe më të madhe.
“Duhet kapërcyer situata aktuale. Në njërën anë, serbët ia kanë frikën Kosovës, prandaj ndjejnë nevojën për t’u vetëorganizuar dhe për t’u vetëizoluar nga pjesa tjetër e sa dhe në krahun tjetër, popullata shqiptare kërkon ta shohë Kosovën si një vend integral, por ndërkohë nuk qaset dot në veri. Kjo situatë duhet kapërcyer sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaron më tej Zbogar.
Për dialogun, diplomati europian thotë se pret përparim në zgjidhjen e çështjeve teknike, që do i lehtësojnë jetën qytetarëve të thjeshtë. Në intervistën për agjesinë sllovene, Samuel Zbogar vlerëson se njohjet e pavarësisë nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë bërë ende varen nga progresi në dialogun e Brukselit dhe në zbatimin e reformave të tranzicionit në Kosovë.
Top Channel