Kontroll cmimit të ilaceve

01/02/2012 00:00

Qeveria ka vendosur të ngreje një strukturë të posacme për të mbikëqyrur cmimet e barnave në treg.

Përmes një vendimi në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave ka autorizuar ngritjen e komisionit të cmimit të barnave, i cili do të funskionojë pranë Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas vendimit, komisioni do të përbëhet nga specialistë të farmaceutikës, por edhe ata të Ministrisë së Financave e asaj të Ekonomisë.

Komisioni ka të drejtë të kërkojë informacion të hollësishëm nga kompanitë farmaceutike për cmimin e cdo medikamenti që ato importojnë në tregun e brendshëm.

Pasi mbledh deklarimet e kompanive për cmimet e ilaceve që ato kanë importuar, komisioni i krahason ato me cmimet përkatëse të këtyre barnave në tre shtete fqinje, Greqi, Itali dhe Maqedoni.

Pikërisht cmimet e barnave në vendet fqinje do të shërbejnë për përcaktimin e cmimit të ilaceve edhe në tregun e brendshëm.

Sipas vendimit, komisioni zgjedh për cdo ilac cmimin më të ulët që aplikohet në tre vendet fqinje dhe mbi bazën e këtij kriteri përcakton cmimin për këtë medikament në tregun vendas.

Qeveria ka sanksionuar në vendim që komisioni nuk do të lejojë asnjë medikament të deklarohet nga kompanitë me cmim më të lartë se cmimi referencë që përcakton ai, që ka dalë nga cmimi më i ulët i tre vendeve fqinje.

Kjo masë e qeverisë përvecse synon kufizimin e abuzimeve me cmimin e ilaceve, duket se diktohet edhe nga nevoja për të lehtësuar vetë qeverinë nga shpenzimet që ajo bën për rimbursimin e tyre.

Top Channel