Kompensimi i të verbërve

01/02/2012 00:40

Personat me aftësi të kufizuara nuk kanë marrë ende një përgjigje se  cfarë do të ndodhë me kompensimet që u bëhen atyre me faturat e energjisë elektrike, telefonit, transportit e të  tjera.

Presidenti i shoqatës së të verbërve Sinan Tafaj shprehet i shqetësuar për mungesën e reagimit të qeverise në lidhje me problemet e tyre të cilat i kanë përcjellë edhe në strukturat ndërkombëtare. Tafaj paralajmëron  protesta masive në mungesë të kompromisit.

Personat me aftësi të kufizuara e konsiderojnë veten si viktima të para të krizës ekonomike në vendin tonë. Tashmë kompensimi i tyre nuk do të jetë i sankionuar në ligj si më parë, por vetëm me vendim qeverie. Sipas tyre kjo është një shkelje e të Drejtave të Njeriut.

Përfaqësues të Komisionit Europian garantojnë mbështetjen e kësaj kategorie njerëzish. Së fundmi delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri në bashkëpunim me shoqatën e të verbërve  kanë ngritur 4 qendra komunitare në qytet Tiranë, Vlorë, Elbasan dhe Shkodër për ofrimin e shërbimeve ndaj personave të verbër, me qëllim evidentimin e nevojave dhe problematikave të tyre në fusha të ndryshme.

Në këto qëndra  i ofrohet ndihmë një personi të verbër që të ketë akses në informacione, këshillime, mundësi socializimi, argëtimi e të tjera.

Top Channel