Personat me aftësi të kufizuara nuk kanë marrë ende një përgjigje se cfarë do të ndodhë me kompensimet që u bëhen atyre me faturat e energjisë elektrike, telefonit, transportit e të tjera.
Presidenti i shoqatës së të verbërve Sinan Tafaj shprehet i shqetësuar për mungesën e reagimit të qeverise në lidhje me problemet e tyre të cilat i kanë përcjellë edhe në strukturat ndërkombëtare. Tafaj paralajmëron protesta masive në mungesë të kompromisit.
Personat me aftësi të kufizuara e konsiderojnë veten si viktima të para të krizës ekonomike në vendin tonë. Tashmë kompensimi i tyre nuk do të jetë i sankionuar në ligj si më parë, por vetëm me vendim qeverie. Sipas tyre kjo është një shkelje e të Drejtave të Njeriut.
Përfaqësues të Komisionit Europian garantojnë mbështetjen e kësaj kategorie njerëzish. Së fundmi delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri në bashkëpunim me shoqatën e të verbërve kanë ngritur 4 qendra komunitare në qytet Tiranë, Vlorë, Elbasan dhe Shkodër për ofrimin e shërbimeve ndaj personave të verbër, me qëllim evidentimin e nevojave dhe problematikave të tyre në fusha të ndryshme.
Në këto qëndra i ofrohet ndihmë një personi të verbër që të ketë akses në informacione, këshillime, mundësi socializimi, argëtimi e të tjera.
Top Channel