Dëbora mbulon gjithë vendin

01/02/2012 23:30

I gjithë vendi u përfshi sonte në mbrëmje nga reshjet e dëborës dhe era e fortë.

Ngrica dhe akulli ka sjellë probleme në shumë nga akset kombëtare, një pjesë e tyre kalohen me vështirësi dhe vetëm me zinxhirë. Në komunat e Gjirokastrës trashësia e dëborës arrin në 20 cm.

Po ashtu në zonat e thella të Malësisë së Madhe, Pukës, Dibrës e  Kukësit, shumë komuna janë të bllokuara nga dëbora.

Temperaturat në veri kanë qenë deri në minus 18 gradë, ndërsa gjatë natës do të zbresin akoma edhe më shumë.
 
Vështirësi në qarkullimin e mjeteve ka pasur në aksin Tiranë-Elbasan, Prenjas-Pogradec, Peshkopi-Tiranë, Vlorë-Llogara ku automjetet mund të kalojnë vetëm me zinxhirë. E njëjta situatë është në Qafën e Qarrit, Qafë Mali, Qafë Shllak.

Gjatë mbrëmjes u bllokua aksi Kapshticë-Kozan. Në qarkun e Korcës lëvizja është me probleme. Ndërkohë vazhdon të jetë e normalizuar situata në segmentin e autostradës Morinë-Kukës. Gjatë orëve të mbrëmjes në zona të caktuara të vendit ka pasur edhe ndërprerje të energjisë elektrike.
 
Vështirësi më të mëdha në qarkullim do të ketë gjatë ditës së nesërme, pasi dëbora që do të bjerë dhe temperaturat nën minus gjatë natës, do të shtojnë akullin në akset kombëtare, por edhe në ato që lidhin zonat rurale.

Top Channel