Ish-ministri i Jashtëm slloven, Samuel Zhbogar, i cili nga e mërkura
merr postin e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian në Kosovë, ka
deklaruar se pret që edhe ky shtet të ndjekë rrugën e BE-së, ashtu
sikurse vendet e tjera të rajonit.

Zhbogar është shprehur se së shpejti mes BE-së dhe Kosovës do të nisin bisedimet për marrëveshjen e tregtisë së lirë, duke nënvizuar se ky proces i hap rrugën së ardhmes evropiane të vendit.

“Edhe këtë vit janë në dispozicion rreth 70 milionë euro për projekte të ndryshme që do të ndihmojnë në ngritjen dhe forcimin e institucioneve të Kosovës”, ka deklaruar Zhbogar.

“Brukseli do vijojë angazhimin e tij që edhe Prishtina të zbatojë legjislacionin evropian”, ka vijuar i dërguari i posacëm i Unionit.

Zhbogar u emërua zyrtarisht në këtë post më 25 janar dhe në bazë të planit të punës, ai duhet të promovojë stabilitetin, paqen dhe demokracinë në një Kosovë multietnike.

Ai duhet të kontribuojë në zhvillimin, konsolidimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut, lirive themelore, si dhe në bashkëpunimin rajonal të vendit.

Gjithashtu, ai ka për detyrë të ofrojë këshillat e BE-së në procese politike, të forcojë prezencën e Unionit dhe të garantojë koherencën dhe efektshmërinë e tij në Kosovë.

Për këtë pozicion, Zhbogar u nominua fillimisht më 21 dhjetor nga Përfaqësuesja e Lartë Catherine Ashton, pas humbjes së partisë së tij në zgjedhjet e përgjithshme në Slloveni.

Ai është 49 vjec, i martuar, ka 3 femijë dhe flet rrjedhshëm anglisht, frëngjisht, italisht dhe serbo-kroatisht. Mandati i përfundon më 30 qershor 2013.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA