
Periudha e merkatos dimërore po numëron sot edhe orët e fundit, pasi në
orën 24.00 mbyllet gjithçka. Por Vllaznia është e pakënaqur, më saktë
trajneri i saj Rudi Vata ka deklaruar se kjo skuadër është deficitare
për sa u përket largimeve dhe përforcimeve gjatë muajit janar.
Kjo gjë e bën atë ta shikojë Vllazninë larg pretendentëve. Tekniku i kuqebluve ka theksuar se në merkato nuk u afruan futbollistët që ai kërkoi. “Mund të them se në merkaton e tanishme nuk janë realizuar asnjë nga lojtarët që unë kam kërkuar. Kështu në listë për t’u afruar te Vllaznia, që do t’i shërbenin shumë asaj, për objektivat e këtij sezoni, e në mënyrë të veçantë për sezonin pasardhës, kanë qenë dy futbollistët e Bylisit, Dimo, që firmosi në fund në Korçë dhe Denis da Silva (tashmë një lojtar i Teutës). I pari sulmues dhe i dyti mbrojtës. Gjithashtu kam kërkuar edhe mbrojtësin e Apolonisë, Fernando da Silva, si dhe dy shkodranët e Tiranës, Gilman Likën, dhe Bekim Balën. Por asnjëri prej tyre nuk është afruar. Ndërkohë që kemi afruar në ekip malazezët Jablan dhe Brnoviç dhe futbollistin e kombëtares së Andorrës, Moreno, por nuk mund të themi se skuadra është e plotësuar me këto tre afrime. Nga ekipi i Vllaznisë, gjatë kësaj periudhe janë larguar Sukaj, Vajushi, Muça, Danaj dhe Nimani. Pra jemi deficitarë në këtë drejtim, pasi janë larguar pesë dhe janë afruar vetëm tre”, ka thënë në fillim tekniku Vata. Për sa i përket mungesës së blerjeve, trajneri shkodran është pyetur dhe për arsyet se pse ato nuk janë arritur: “Ka qenë vetë klubi që ka vendosur të mos bëjë blerje të tjera. Këtë e dinë më mirë ata”. Kjo fjali duket sikur vë alarmin për një arkë të boshatisur te kuqeblutë, edhe pse Vata nuk e thotë publikisht. “Nisur nga përgatitjet që ka bërë Vllaznia, duke zhvilluar një fazë përgatitore shumë të mirë në Ulqin, me kushte të shkëlqyera, mendoj se nuk ekziston problemi financiar. Por ndërkohë, që dihet se futbolli shqiptar ka probleme nga më të ndryshmet, jo vetëm një skuadër, por të gjitha, prandaj nuk është çudi që të jetë dhe ky aspekt. Megjithatë unë jam trajner dhe do të punoj dhe stërvit atë grup lojtarësh që kam në dispozicion, me sa më shumë profesionalizëm, me synimin e vetëm për të marrë maksimumin në çdo ndeshje”, ka nënvizuar më tej Vata. Tekniku nuk kishte se si të shmangte pyetjet në lidhje me objektivat e Vllaznisë për pjesën e mbetur të sezonit. Vata është i ndërgjegjshëm se me këtë grup lojtarësh nuk ka në dorë një skuadër pretendente. “Kjo skuadër nuk është ndërtuar për të fituar kupë as kampionat, por mund të shkojmë shumë larg. Jemi një ekip në rindërtim e sipër, me elementë mjaft të rinj, por me perspektivë. Kjo Vllazni nuk është pretendente. Megjithatë për ne është e rëndësishme që të rritemi si skuadër, të mos jemi nën presionin e fitimit me çdo kusht të një trofeu, të luajmë futboll si një skuadër, të rritemi si skuadër. Ekipi duhet të punojë pa presion dhe e qetë nga ana psikologjike dhe të ngarkohet me faktin se duhet me çdo kusht të arrijë një vendin që të çon në Kupat e Europës”, ka thënë në fund trajneri Rudi Vata.
Top Channel