Prishtina dhe Beogradi janë ende larg arritjes së marrëveshjes për përfaqesimin rajonal. Këtë e bëri të ditur kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri e cila megjithatë nuk mundi të konfirmojë nëse Kosova do të prezantohet apo jo me termin Republikë.

Por zonja Tahiri përmendi modelin e përfaqësimit të Maqedonisë të cilin Kosova do ta pranonte. Ajo këto komente i bëri pas takimit me ndërmjetësin e Bashkimit Europian, Robert Kuper me të cilin diskutoi për bashkëpunimin rajonal, zbatimin e marrëveshjeve për lëvizjen e lirë dhe krijimin e protokolleve teknike për menaxhimin e integruar të kufirit.

Sa i përket bashkëpunimit rajonal, Tahiri tha se Serbia insiston në rezolutën 1244 ndërsa Kosova nuk heq dorë nga përfaqësimi i saj si  si shtet i pavarur, me simbolet e saj shtetërore si dhe të jetë palë nënshkruese e marrëveshjes.

Në konferencën për media, Edita Tahiri sulmoi mediat të cilat sipas saj i kanë keqinterpetuar deklaratat për sa i përket heqjes së termit Republikë. Por kur u pyet nëse do të jetë apo jo termi Republikë, zëvendëskryeministrja kosovare dha këtë përgjigje.
 
“Në momentin kur afrohen çeshtjet konkrete, ne jemi këtu për komunikimet, por në këtë fazë qëndrimet janë shumë larg. Për ne nuk mund të ketë marëveshje që ka për referencë rezolutën 1244”, tha Edita Tahiri, zevendës/kryeministre e Kosovës.

Zëvendës/kryeministrja kosovare i kërkoi ndërmjetësit Europian, Robert Kuper që deri më 10 shkurt të krijohen protokollet teknike për zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit. Arsyeja e këtij afati sipas Tahirit bëhet për të vërtetuar nëse Serbia është duke i përmbushur detyrimet e saj karshi Kosovës, para se BE-ja të vendos për statusin e kandidatit.
 
Kryenegociatorja komentoi edhe mbi shkrimin e Vetëvendosjes, “Kosova Republikë”. Ajo u kundërpërgjigj duke thënë se qeveria nuk ka hequr dorë nga Republika por duket se Vetëvendosje ka hequr dorë nga bashkimi kombëtar.

Top Channel