Moti i keq rikthen problemet në qarkullim

31/01/2012 00:00

Rikthimi i motit të keq dhe reshjeve të dëborës, që pasoi uljen me disa gradë nën zero të temperaturave ne disa zona, ka risjellë probleme në disa akse rrugore në vend, kryesisht në veri dhe jug-lindje.

Policia rrugore njoftoi disa nga akset që aktualisht janë të pakalueshme dhe të tjera ku kalimi është i detyrueshëm me zinxhirë.

Kështu në Qarkun e Kukësit, aksi rrugor që lidh Topojanin me Shishtavecin është i pakalueshëm, ndërsa rruga Ujëmisht-Lusen-Bushtricë dhe Kala e Dodës është e kalueshme por vetëm me zinxhirë. Në Qarkun e Dibrës, aksi Peshkopi-Sllovë-Kala e Dodës, Reç-Zall Dardhë-Aras kalohet vetëm me zinxhirë, po me zinxhirë kalimi mundësohet edhe në rrugën Bulqizë-Shupen-Ostren dhe Stëblevë-Librazhd në rrethin e Librazhdit. Ndërkohë, i bllokuar mbetet aksi rrugor Aras-Lurë për të cilin njoftohet se kanë mbërritur mjetet borë-pastruese për të bërë zhbllokimin.

Në jug-lindje probleme hasen në rrethin e Korcës. Kështu në aksin Boboshticë-Dardhë dhe Korcë-Voskopojë kalimi është i detyrueshëm me zinxhirë, ndërsa disa rrugë që lidhin zona të thella rurale në këtë rreth janë të pakalueshme. Policia në këtë qark deklaron se për momentin nuk ka asnjë problem në aksin nacional që lidh me doganën e Kapshticës.

Policia rrugore njoftoi se në Malësinë e Madhe qarkullimi në disa zona të thella është i pamundur.

 

Top Channel