
Milan ka arritur një marrëveshje me Interin për huazimin e mesfushorit Sulley Muntari në ditën e fundit të merkatos së dimrit.
Dëmtimi i të sapoardhurit Alexander Merkel ka bërë që Adriano Galliani të rifutet sërish në merkato për të kërkuar një mesfushor. Presidenti i Interit Massimo Moratti ka lejuar lëvizjen dhe Muntari ka firmosur gjatë orëve të drekës të ditës së martë për kuqezinjtë.
Muntari ka luajtur gjatë kësaj kohe i huazuar tek Sunderland dhe rikthehet në Milano, kësaj here tek klubi kuqezi, sërish me formulën e huazimit. Milan do të ketë të drejtën e blerjes së futbollistit në fund të këtij sezoni.
Mesfushori për momentin është i angazhuar me kombëtaren ganeze në Kupën e Kombeve të Afrikës.
Qendron Inzaghi
Filipo Inzaghi vendosi të refuzojë të gjitha ofertat e mbërritura në drejtim të tij nga disa klube të Serisë A dhe t’i qendrojë besnik kontratës së nënshkruar me Milanin, ndonëse aktivizimi i tij këtë sezon ka qenë thuajse zero.
Lajmi u njoftua nga vetë 38-vjecari i cili nëpërmjet Milan Channel tha se ishte e vështirë të braktiste botën që kishte krijuar në Milano.
“Vendosa të refuzoj ofertat nga disa klube. I falenderoj ato që të gjitha. Ditët e fundit kam patur shumë oferta dhe i falenderoj të gjithë klubet që treguan interes për mua, tani që jam në moshën 38-vjecare. Ky është një vlerësim. Në vecanti falenderoj Sienën, presidentin dhe drejtuesit e saj, të cilët bënë gjithcka për të patur shërbimet e mia”, deklaroi Inzaghi.
Top Channel