Kuvendi i Kosovës miratoi  rezolutën me 8 pika të Partisë Demokratike të Kosovës, për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës.

Me 83 vota pro dhe vetëm 13 kundër e 1 abstenim, rezoluta e miratuar fton Qeverinë që në konsultim të ngushtë me udhëheqësit e partive të përfaqësuara në Kuvend, anëtarët e Grupit Ndërkombëtar Drejtues dhe Zyrën Civile Ndërkombëtare, që të përgatisë dhe miratojë legjislacionin i cili është i nevojshëm për të kompletuar zbatimin e Planit të Ahtisaarit.

Po ashtu, Komisioni Kuvendor“ad hoc” për reformën kushtetuese detyrohet që të merret edhe me çështjen e ndryshimit apo shfuqizimit të neneve të Kushtetutës ku flitet për mbikqyrjen epavarësisë.

“Kjo nuk është meritë e vetëm një qeverie, një partie apo e vetëm një mandati,kjo është merita e shtetit, demokracisë tonë, qytetarëve merita e të gjithëve. Ne sot nisim një fazë të re për Kosovën”, deklaroi kryeministri Thaci.

“Është një vendim që qytetarët tanë e kanë pritur që më në fund të jemi shtet që do të qeveriset nga institucionet tona në mënyrë të pavarur”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri.

Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar pro përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur, por kritiikon rezolutën e prezantuar nga PDK, me arsyetimin se ajo është e mangët dhe nuk sqaron se çfarë obligimi duhet të kryejë Kuvendi.

“Kuvendi duhet të miratojë cdo ligj me procedurën normale të votimit në seancë dhe në komisionet përkatëse. Nuk ka procedurë tjetër të votimit që është e pranueshme për ne”, deklaroi deputeti VV, Visar Ymeri.

Për këtë arsye, Visar Ymeri nga Vetëvendosje ka paraqitur një draft-rezoutë si alternativë e asaj të PDK-së, mirëpo ajo nuk është hedhur në votim, për shkak se nuk ishin ndjekur procedurat e parashikuara në rregulloren e Kuvendit, sigurimi i 40 nënshkrimeve të deputetëve.

Draft-rezoluta e Vetëvendosjes parashihte ndër të tjera që “Kushtetuta të hynte në fuqi me anë të referendumit”, dhe që “sovraniteti shtetëror e institucional që buron nga populli, si dhe integriteti territorial i vendit, janë të patjetërsueshme dhe të panegociueshme”.

Sidoqoftë, rezoluta e miratuar është përshëndetur edhe nga shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, që mbikqyr pavarësinë e Kosovës. “Besoj se kjo (rezoluta) duhet zbatuar në të dy drejtimet, në zbatimin e plotë të Planit të Ahtisaarit dhe në përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur. Nëse konsensusi kombëtar ruhet gjatë gjithë kësaj kohe, kjo do të dërgonte një mesazh të fuqishëm për qëndrueshmërinë e reformave dhe zbatimin e tyre, dherrjedhimisht do ta forconte reputacionin dhe kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës si një shtet modern europian”, shkruan Feith. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA