15 mijë persona të vdekur janë identifikuar dhe hequr nga listat e zgjedhësve në Kosovë, lajmëroi ditën e martë “Telegrafi”.

Gjithashtu, grupi i punës i ngritur nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në Kosovë, ka identifikuar rreth 60 mijë votues me kode të gabuara si dhe janë fshirë dhjetë mijë votues të tjerë, të cilët kanë hequr dorë nga shtetësia kosovare.

Në zgjedhjet e shkuara, kritikat për parregullsi në zgjedhje kanë qenë gjithmonë prezente në Kosovë dhe një debat të madh ka ngjallur pikërisht vota e “të vdekurve”.

”Pastrimi i listave ishte një kusht i domosdoshëm për të mbyllur çdo hapësirë të mundshme për manipulime në të ardhmen, hapësira që kanë qenë të mëdha, duke llogaritur gati 100 mijë shtetas fiktivë në listat e zgjedhësve”, u shpreh Florian Dushi, kryesues i grupit të punës së KQZK-së dhe antar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Grupi i punës gjithashtu ka identifikuar numrin e gjithë qytetarëve të cilët janë pajisur me letërnjoftim të Republikës së Kosovës. Ky numër është 1.2 milionë, ndërsa rreth 450 mijë zotërojnë ende letërnjoftim të UNMIK-ut, ende i vlefshëm për 63 mijë persona, në bazë të afatit kohor të parashikuar në dokument.

Top Channel