Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremic ka deklaruar se Serbia do të bëjë
gjithcka që të fitojë statusin e vendit kandidat për në BE në muajin
mars.

Por nga ana tjetër ai ka theksuar se Beogradi nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i tij që përfaqësimi i Kosovës në nismat rajonale të bazohet tek rezoluta 1244.

“Kjo rezolutë është vijë e kuqe për Serbinë”, ka deklaruar shefi i diplomacisë serbe, i cituar nga agjencitë lokale të lajmeve.

Javën e kaluar Jeremic hodhi poshtë lajmet e publikuara në mediat kosovare për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga disa vende afrikane.

Jeremic tha se këto “gënjeshtra” i ishin konfirmuar vetë atij nga homologët e vendeve afrikane, me të cilët ai u takua gjatë një vizite në Adis Abeba të Etiopisë.

“Në Republikën e Afrikës Qendrore, për shembull, janë paguar para të mëdha që kjo të ndodhte, por me para nuk mund të blihet gjithcka”, deklaroi Jeremic.

Jeremic, që tha se ishte takuar me zyrtarë të shumtë të Këshillit Ekzekutiv të Bashkimit Afrikan, theksoi se kishte marrë garanci konkrete nga homologët.

“Ministrat e Jashtëm të Nigerisë dhe Afrikës së Jugut kanë deklaruar se qeveritë e tyre nuk do ta njohin Kosovën. Edhe qëndrimi i Etiopisë mbetet i palëkundur”, u shpreh Jeremic.

Reagimi i tij erdhi pasi disa ditë më parë autoritetet kosovare njoftuan se Gana ishte bërë shteti i 87 në botë që kishte njohur pavarësinë e vendit ballkanas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA