Dritat, kërcënon dimri

31/01/2012 20:20

Kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike, CEZ, paralajmëron se ditët në vijim mund të krijojnë probleme në furnizimin me energji për shkak të temperaturave te ulta me dimër të acartë.

Ndaj, drejtori i shpërndarjes, Admirim Lakra, u bën thirrje konsumatorëve të  kenë kujdes me konsumin e energjisë. “Kushtet e tilla të motit vendosin në vështirësi edhe vendë të mëdha perëndimore, jo më ne që kemi trashëguar një sistem shumë të amortizuar. Parashikojmë që ditët e ardhshme mund të krijohen situata të vështira për furnizimin me energji, ndonëse kemi marrë të gjitha masat për të zgjidhur çdo situatë të mundshme”.

Në lidhje me problemin e konstatuar komunën e Kacinarit, ku reportazhi “Shqipëria Tjetër” në TCH dokumentoi se dy fshatra ishin lënë pa energji prej disa muajsh, CEZ thotë se tashmë problemi është zgjidhur.

”Fshati në fjalë ka qenë totalisht debitor, por u bënë bisedime dhe me komunën u bë një marrëveshje dhe u ndërrua tranformatori”, shtoi Lakra.

Muajin e fundit, në disa zona të vendit ka patur ndërprerje të energjisë elektrike, që sipas CEZ kanë ndodhur për shkak të avarive në rrjet që shkaktohen nga konsumi i lartë dhe moti i keq. Megjithatë drejtuesit e kompanisë thonë se këtë numri i defekteve dhe koha e riparimit të tyre ka qenë ndër më të ulëtat. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA