Fytyra e krizës dhe varfërisë shfaqet edhe në ushqyerjen më rrallë të makinave me karburant dhe me pakësimin e sasive që kërkohen.
Duke vëzhguar këtë problem në disa distributorë të qytetit të Sarandës, gazeta ‘Shqip’ bën të ditur se jo vetëm që është pakësuar me tri herë numri i automjeteve që furnizojnë, por edhe sasia e litrave që marrin ka zbritur në kufijtë ekstremë të litrave.
Shtrenjtimi në rritje i karburanteve nga njëra anë dhe varfërimi i xhepave nga ana tjetër, kanë bërë që posedimi, qoftë edhe i një autoveture pune, të ndjehet nga muaji në muaj si një barrë e rëndë. Kjo shihet në pikat e distributorëve të furnizimit me karburant, ku mund të kalojë një orë e tërë pa shkuar asnjë automjet i vetëm për t’u furnizuar.
Në disa prej tyre, shitësit pohuan pothuaj të njëjtën gjë: që është pakësuar me tri herë numri i automjeteve që furnizojnë, por edhe sasia e litrave që marrin ka zbritur në kufijtë ekstremë të litrave.
Në pikën e ‘Anoil’ shitësi tha se, nga 350 makina në ditë që furnizonin më parë, ky numër ka rënë në 100. Përveç kësaj, janë rralluar rastet kur mbushen serbatorët dhe nuk mungojnë edhe klientët që kërkojnë të hedhin 200 lekë apo 500 lekë të reja naftë. Na thanë se nuk kanë munguar as rastet e shtyrjes së veturave, për shkak të mbetjes me pikën e fundit të naftës apo benzinës në depozitë.
Varfëria e shfaqur në rrallimin e pranisë së automjeteve në pikat e furnizimit apo në kërkesat modeste për karburant është një nga pamjet e shtrenjtimit të jetesës. Në këto kushte, mbajtja e një makine personale bëhet më e vështirë.
Top Channel