MSH, ligj për shëndetin mendor

30/01/2012 00:00

Pas 15 vitesh, Ministria e Shëndetësisë ka amenduar ligjin për shëndetin mendor dhe drafti i ri ligjor është diskutuar në Komisionin Kuvendor të Shëndetësisë, Punës e Cështjes Sociale.

Në prezantimin e këtij drafti, Ministri i Shëndetësisë përmendi disa nga risitë që ofron projekt-ligji i ri për shëndetin mendor, që nga futja e koncepteve të reja si qendrat multidisiplinare, ashtu dhe trajtimet e reja për pacientët me probleme mendore. Një tjetër risi e projekt-ligjit, sipas ministrit Petrit Vasili, është dhe ofrimi për herë të parë i shërbimit për fëmijët.

Në projekt-ligjin për shëndetin mendor është hequr detyrimi për shtrimet në spitalet psikiatrike të pacientëve me probleme sa herë ata detyroheshin të dilnin para komisionit mjeko-ligjor për të marrë raportin e paaftësisë.

Kjo sipas ministrit Vasili do të zgjidhë problemet e korrupsionit të vërejtura në këtë sektor. Nga ana e tyre deputetet socialistë kanë përshëndetur hartimin e draftit ligjor për shëndetin mendor, por kanë kërkuar nga ministria të shohë me prioritet zgjidhjen e shumë problemeve që do të dalin gjatë zbatimit të ligjit, sic është numri i mjekëve psikiatër apo psikologëve e punonjësve socialë që do të nevojiten për shërbimet në komunitet.

Top Channel