Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është shprehur gjatë së hënës se për veriun e Kosovës nuk ka nevojë të hartohen plane të tjera, sepse Kushtetuta dhe pakoja e Ahtisarit janë të mjaftueshme.

Ai e bëri këtë deklaratë pas shkrimeve në media se pas planit 4-pikësh të prezantuar nga presidenti serb, Boris Tadic se, “tani edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, duhet të dalë me një propozim për veriun.

Propozim, që siç citon “Koha Ditore” një diplomat europian në kushte anonimati, duhet të jetë zemërgjerë ndaj serbëve të asaj pjese të Kosovës dhe ndaj Serbisë.

“Plani i Ahtisarit, në bazë të të cilit janë miratuar ligjet e Kosovës, ofron zgjedhjen më të mirë dhe optimale për të drejtat e pakicave në Kosovë. Për plan tjetër s’ka nevojë”, deklaroi Krasniqi.

Në anën tjetër, në lëvizjen Vetëvendosje, që janë edhe kundër pakos së Ahtisarit, deklarohen kundër një ideje të tillë, që sipas tyre do të përbënte rrezik.

“Kjo që po flitet për veriun, po ta zbërthesh në terma konkretë, përfundon në një fjali të vetme: status autonomik për veriun. Ne jemi absollutisht kundër kësaj”, deklaron Visar Ymeri, kryetar i grupit parlamentar të VV.

Ndërsa në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, pajtohen me hartimin e një plani të veprimit, që parasheh se si të impelemtohet Kushtetuta në atë pjesë.

“Kosova është demokratike në kuptimin e Kushtetutës dhe ligjeve dhe plani duhet të jetë për impelementimin e tyre dhe jo plane që tejkalojjnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, ka thënë Burim Ramadani, deputet i AAK-së.

Sidoqoftë, në veriun e Kosovës që prej disa muajsh rrugët vazhdojnë të mbahen të bllokuara nga serbët, të cilët mbikëqyrin barrikadat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA