Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme këtë të martë, për të miratuar një rezolutë për përmbylljen e pavarësisë së mbikqyrur.

Top Channel mëson nga burimet brenda Kuvendit se sipas draft-rezolutës Komisioni Kuvendor “ad hoc” për reformën kushtetuese detyrohet që të merret edhe me çështjen e ndryshimit apo shfuqizimit të neneve të Kushtetutës ku flitet për mbikqyrjen e pavarësisë.

Po ashtu, sipas draft-rezolutës Kuvendi i Kosovës fton qeverinë që në konsultim të ngushtë me udhëheqësit e partive të përfaqësuara në Kuvend, anëtarët e Grupit Ndërkombëtar Drejtues dhe Zyrën Civile Ndërkombëtare, që të përgatisë dhe miratojë legjislacionin i cili është i nevojshëm për të kompletuar zbatimin e Planit të Ahtisaarit.

Kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha pas mbledhjessë Kryesisë se përmes draft-rezolutës, Kuvendi zotohet se do t’i kryejë të gjitha detyrimet që dalin nga procesi i përmbylljes së pavarësisë së mbikqyrur.

“Kjo rezolutë kërkon që të gjitha institucionet e Kosovës kanë gatishmërinë për heqjen e mbikqyrjes së pavarësisë”, deklaroi kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Seanca do të mbahet me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës, dhe me mbështetjen e grupeve tjera kuvendore, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas këtij subjekti politik, rezoluta është refuzuar për shkak se ajo është e mangët dhe nuk sqaron se çfarë detyrimesh duhet të kryejë Kuvendi.

“Është një formë paravotimi për ligjet që do të vijnë në Kuvend të cilat konsiderohen si ligje që janë detyrime të Kosovës, karshi dokumenteve të tjera. Ne konsiderojmë që është praktikë jodemokratike të votojmë pa parë ligjin”, thotë Visar Ymeri nga Vetëvendosje.

Ditë më parë, kryeministri Hashim Thaçi u takua me pothuajse të gjitha subjektet politike, pas vendimit të Grupit Ndërkombëtar Drejtues për përmbylljen e pavarësisë së mbikqyrur. Qëllimi i takimit ishte një konsultim për hapat që duhet t’i ndërmarrin Qeveria, Kuvendi dhe spektri politik për këtë çështje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA