Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Robert Cooper, pritet të qëndrojë nesër në kryeqytetin kosovar.

Lajmin e ka bërë të ditur kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri, në një prononcim për “REL”. Ajo ka deklaruar se vazhdimi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit mund të ndodhë vetëm atëherë kur të përafrohen qëndrimet e të dyja palëve rreth çështjes së bashkëpunimit rajonal.

“Nesër presim vizitën e ndërmjetësit evropian, Cooper, i cili vjen pas vizitës që ka bërë në Beograd dhe pas bisedimeve që kemi pasur të premten me video-konferencë. Prandaj, dita e nesërme mund të jetë një moment i ri për të parë se cilat janë perspektivat”, ka thënë Tahiri.

Kushtet e këqija atmosferike bënë që Cooper të anulonte vizitën e parashikuar për javën e kaluar në Prishtinë. Bisedimet për çështjet teknike mes Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin evropian nisën marsin e kaluar.

Që atëherë palët kanë arritur disa marrëveshje, ndërsa kanë hasur në kundërshtime të forta sa i përket përfaqësimit rajonal të Prishtinës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA