Epidemia e gripit ka prekur mijëra persona gjatë këtyre ditëve, duke lënë pasoja më të rënda tek fëmijët e moshave pediatrike.
Këtë fundjavë në urgjencën e pediatrisë së spitalit Nënë Tereza janë paraqitur mbi 400 fëmijë në ditë edhe pse prindërit nuk i çojnë fëmijët pranë poliklinikave të lagjes.
“Prindi nuk duhet të drejtohet menjëherë në spital, por fillimisht tek mjeku i familjes. Gjithashtu prindi duhet të ulë temperaturën e fëmijës sepse nuk e ul dot mjeku. Me anë të mjeteve rrethanore, banjava freskuese dhe kompresave. Më pas vijnë ilaçet. Duhet të kujdeset prindi për temperaturën e fëmijës. Kjo virozë duhet patur kujdes sepse nga dita e pestë mund të kalojë në bronkopneumoni”, shprehet doktori Gugash Cerga.
Doktor Gugash Cerga, kërkon që prindërit të jenë të kujdesshëm në mbajtjen nën kontroll të temperaturës së fëmijëve dhe t’i vizitojnë tek mjekët e familjes për të shmangur komplikacionet e mundshme.
Mjekët kërkojnë që prindërit mos të blejnë ilaçe në farmaci pa konsultën e mjekut.
Mjekët rekomandojnë kryerjen e banjave deri në pesë herë në ditë për uljen e temperaturave, ku fëmija duhet të qëndrojë gjysmë ore dhe në temperaturë uji 2 deri në 3 gradë më të ulët se temperatura e trupit.
Gjatë këtyre ditëve fëmijët duhet të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe supra.
Top Channel