Një kërkesë sfiduese e Berlinit, që u publikua të dielën në version gjerman të “Financial Times” është pritur me reagime të mëdha në Athinë.

Sipas artikullit, Gjermania kërkon që Greqia të heqë dorë nga sovraniteti në politikën fiskale dhe t’ia besojë këtë fushë një komisioneri europian, në mënyrë që të përfitojë një kredi të re madhore.

Ky komisioner do të caktohet nga Ministrat e Financave të Eurozonës dhe mund të ketë të drejten e vetos mbi vendimet e qeverisë greke.

Sipas burimeve qeveritare gjermane, që kanë kërkuar të ngelen anonime, kërkesa është hedhur për diskutim edhe në samitin e Eurozonës.

Gazeta britanike shkruan gjithashtu se zyrtarët europianë, në diskutimet e tyre e konsiderojnë tepër të vogel progresin në reformat e sektorit publik që ka bërë në këto dy muaj qeveria e teknokratit Papadhimos.

”Nëse ky propozim miratohet”, theksohet në artikull, “atëherë tregjet do të sigurohen se në të ardhmen nuk do të ketë rrezik që Greqia të falimentojë”.

Sipas planit gjerman, Athina mund të kontrollojë vetëm shpenzimet funksionale të qeverise, pasi të ketë paguar rregullisht detyrimet e saj financiare. Nëse nuk paguan këstin e radhës, atëherë Greqia do të detyrohet të reduktojë këto shpenzime.

Përveç Gjermanisë, skenarin e patronazhit financiar e ka hedhur për diskutim kohë më parë edhe Holanda. Ndërkohë, një zyrtar i lartë i qeverisë greke ka deklaruar se ky propozim as që mund të diskutohet, sepse nuk ka asnjë shans që të pranohet një sfidë e tillë nga politika greke.

Projekti gjerman publikohet dhe qarkullon, ndërsa Athina kalon orët më kritike në negociatat me kreditorët privatë për reduktimin e borxhit dhe shkëmbimin e bonove si dhe me specialistet e troikës për masat e reja që kushtëzojne marrjen e paketës shpëtimtare për vendin me një vlerë prej 130 miliard euro.

Kryeministri grek, që ka zhvilluar takime me kreun e Institutit Ndërkombetar të Financave, Charles Dallaras dhe më vone me përfaqësuesit e FMN, BE dhe BQE, është shprehur optimist se marreveshja për Greqinë do të mbyllet në orët e ardhshme dhe se vendi nuk do të falimentojë. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA