Policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës arrestuan gabimisht serbin Radisha Vucinic si i dyshuar për vrasjen e policit Enver Zymeri më 25 korrik në veri të Kosovës.

Pa i mbushur ende 48 orë ndalesë Vucinic është liruar nga policia. Lajmi është konfirmuar nga EULEX. Aksioni i gabueshëm për arrestimi i Radisha Vucinic kishte nisur në kohën kur i dyshuari kishte shkuar në një zyrë komunale për të rregulluar dokumente identifikimi, EULEX-i njofton se i dyshuari ishte arrestuar në fshatin Çabër, në Veri të Kosovës.

Ndërkohë, në shenjë proteste për arrestimin e tij, serbët lokalë në Zupc e kishin bllokuar rrugën pas orës 13:00 të ditës së premte. Madje, serbët lokalë kanë ndaluar një autokolonë me makina të KFOR-it ku gjendeshin edhe makina të EULEX-it që po shkonin drejt kufirit.

KFOR njofton se, ka shtuar prezencën në këtë pjesë dhe po bisedon me serbët lokalë. Mbase presioni i serbëve rezultoi me lirimin e Radisha Vucinic, pasi serbët lokalë kishin kërcënuar me bllokimin e magjistrales Mitrovicë-Ribaric.Nga kur u vra polici i forcave speciale të Kosovës, Enver Zymeri e deri më tani ende, nuk dihen autoret e këtij krimi.

Vrasja e policit ndodhi gjatë operacionit të 25 korrikut 2011, ku autoritetet e Prishtinës u përpoqën të vendosin rendin dhe ligjin në pjesën veriore të Mitrovicës, e sidomos në dy pikat kufitare, 1 dhe 31.

Operacioni pasoi reagimin e popullsisë serbe që kundërshton autoritetin e qeverisë së Prishtinës. Serbët bllokuan rrugët duke ngritur barrikada, madje edhe mbi urën e lumit Ibër, urë që lidh pjesën jugore me atë veriore të Mitrovicës.

Kur kanë kaluar gjashtë muaj nga ky operacion, veriu vazhdon të mbetet i izoluar nga pjesa tjetër e Kosovës.

Ndërkohë, strukturat paralele serbe në Veri, pritet të mbajnë një referendum ku qytetarët serbë do të thërriten për të vendosur nëse do të pranojnë apo jo qeverinë e Prishtinës. Megjithatë, kundër referendumit përveç Prishtinës dhe faktorit ndërkombëtar është shprehur edhe Beogradi zyrtar.

Top Channel