Në media po qarkullon një plan, që pretendohet se është i qeverisë gjermane e ku parashikohet krijimi i një “superstrukture” nga ana e Bashkimit Europian, e cila do të marrë nën kontroll sistemin e taksave dhe gjithë financat e Greqisë.
Gazeta “Financial Times” zotëron një kopje të këtij plani, të cilin e quan “zgjerim i jashtëzakonshëm” i kontrollit të BE-së.
Plani i Gjermanisë “justifikohet” me paaftësinë e Greqisë, sipas Berlinit, për të manaxhuar krizën financiare dhe borxhin publik, si dhe me paaftësinë për të ndërmarrë masat e nevojshme për të përmbushur reformat e duhura të arritura në marrëveshjet me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe vendet e Eurozonës, vecanërisht me Gjermaninë.
Greqia aktualisht është duke biseduar për arritjen e një marrëveshje për marrjen e një huaje të dytë prej 130 miliard eurosh. Nëse nuk arrihet një marrëveshje brenda pak ditësh, Greqia nuk do të marrë shumën e kërkuar dhe vendi rrezikon seriozisht falimentin.
Reagimi i parë nga ana a autoriteteve greke ka qenë nga Ministrja e Arsimit, Ana Diamantopoulou, e cila tha se nëse plani është i vertëtë atëherë ai është “një produkt i një imagjinate të sëmurë”.
Top Channel