Nigeri, Boko Haram: Do imponojmë Sharian

28/01/2012 13:35

Në Nigeri, sekti terrorist islamik Boko Haram, atentatet e të cilit kanë shkaktuar qindra viktima, do të vazhdojë fushatën e tij derisa i gjithë vendi të qeveriset nga Sharia, sic njihet ndryshe ligji islamik.

Lajmin e ka bërë të ditur një zëdhënës i grupit ekstremist për të përditshmen britanike “The Guardian”, i cili ka thënë se atentatet do vazhdojnë derisa vendi “të bjerë në gjunjë”.

“Sapo gjërat të bëhen sipas ligjeve të Zotit dhe anëtarët tanë të jenë liruar, ne do të heqim armët, por nuk do t’i ulim ato tërësisht”, ka deklaruar zëdhënësi.

Grupi islamik Boko Haram ndërmori një ofensivë kriminale që nisi të premten e javës së kaluar dhe që brenda pak ditësh shkaktoi mbi 180 viktima.

Masakra masive u krye me armë zjarri dhe eksploziv në qytetin verior të Kanos, ku vetë sekti mori përsipër autorësinë.

Forcat e rendit njoftuan se në qytet u gjetën edhe qindra bomba të pashpërthyera, të vendosura në vetura apo furgone të parkuara përpara komisariateve dhe postoblloqeve të policisë.

Grupi në fjalë ka sulmuar edhe shumë kisha dhe popullsinë e krishterë dhe për shkak të aktiviteteve të tij vitin e kaluar u fut në listën e zezë të administratës amerikane.

Në reagimin e tyre pas masakrës, forcat nigeriane të sigurisë arrestuan të paktën 158 persona, të dyshuar si anëtarë të grupit të dhunshëm terrorist.

Top Channel