Libi, prova të reja për torturat

28/01/2012 08:35

Prova të reja kanë dalë në dritë që tregojnë se mbështetësit e ish-liderit libian Muammar Gaddafi janë torturuar gjatë qëndrimit në qendrat e burgimit.

BBC ka mësuar nga disa të dënuar në një burg në Misrata se ata janë rrahur, goditur me kamzhik dhe u janë nënshtruar torturave me korrent.

Shefi i këshillit ushtarak të vendit i ka hedhur poshtë deklaratat, ndërkohë që shefja për të drejtat e njeriut në OKB, Navy Pillay i ka bërë thirrje qeverisë së përkohshme libiane që të marrë nën kontroll të burgosurit.

Deklaratat vijnë fiks 100 ditë pas vdekjes së dhunshme të kolonelit Gaddafi nga grupet e rebelëve.

Më herët gjatë javës organizata Mjek Pa Kufij deklaroi ndërprerjen e punës në qendrën e burgimit në Misrata për shkak të rritjes alarmante të torturave.

Gazetari i BBC, Gabriel Gatehouse arriti të depërtonte deri në këtë burg, ku të dënuarit i thanë se ishin bërë subjekt i rrahjeve, goditjeve me kamzhik dhe i torturave me rrymë elektrike.

Por torturat janë kryer në vende të tjera dhe jo në burgun në fjalë. Në raste të tjera, të burgosurit kanë thënë se abuzimet kanë ndodhur përpara se ata të mbërrinin në këtë burg.

“Më morën për të më pyetur në një bazë të përdorur nga ushtria kombëtare. Këmba ime ishte e dëmtuar kur ata më morën dhe kur ata më pyesnin më godisnin fortë aty”, ka thënë një i dënuar.

Top Channel