Holokausti, Norvegjia kërkon ndjesë

28/01/2012 01:30

Në kohën kur Europa shënoi ditën e kujtimit të Holokaustit, kryeministri norvegjez ka kërkuar publikisht ndjesë për rolin e vendit të tij në deportimin e hebrenjve të vet.

Ishin norvegjezët ata që kryen arrestimet, norvegjezët drejtuan kamionët e mbushur me njerëz dhe ndodhi brenda kufijve të këtij vendi, pranoi Jens Stoltenberg, duke e bërë këtë të parën herë që një lider norvegjez flet kaq hapur për marrëveshjet e fshehta nën pushtimin nazist.

Më shume se një e treta e 2.100 hebrenjve të Norvergjisë u deportuan në kampet e vdekjes. Të tjerë morën arratinë drejt Suedisë fqinje që gjatë Luftës së Dytë Botërore, qëndroi neutrale.

Norvegjia e pranoi rolin e saj në Holokaust në 1998-tën dhe pagoi 60 milionë dollarë kompensime për pronat e konfiskuara, por kurrë nuk pati një apologji zyrtare.

Stoltenberg e mbajti fjalimin e tij në një dok të Oslos, pikërisht aty ku 532 hebrenj u detyruan të ngjiten në një anije mallrash 26 nëntorin e vitit 1942. Destinacioni ishin kampet naziste.

“Ndiej se sot është momenti i duhur për të shprehur keqardhjen time më të thellë që dicka e tillë ndodhi në tokën norvegjeze”, tha kryeministri. Është koha të pranojmë se policë norvegjezë, nëpunës civilë dhe norvegjezë të tjerë morën pjesë në arrestimin dhe deportimin e hebrenjve”.

Stoltenberg shprehu gjithashtu keqardhje për faktin që idetë të cilat cuan drejt Holokaustit jetojnë akoma edhe sot dhe se në të gjithë botën, ka individë dhe grupe që përhapin intolerancën dhe frikën.

Holokausti, gjatë të cilit u shfarosën 6 milionë hebrenj, kujtohet në përvjetorin e clirimit të kampit më të madh e famëkeq të përqëndrimit, Auschëitz-it, nga trupat sovjetike 27 janarin e vitit 1945.

Top Channel