Ashtu si dy paraardhësit e saj, edhe presidentja aktuale e Kosovës, Atifete Jahjaga, pritet që të largohet nga detyra e saj pa e përfunduar mandatin.

Të paktën kjo është ajo që shkruan të premten e përditshmja “Zëri”, e cila pretendon se po përsëritet një skenar i ngjashëm me atë të ndodhur më parë me Fatmir Sejdiun dhe Behgjet Pacollin.

Ndryshimi i vetëm është se nëse dy paraardhësit e Jahjagaës u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese, mandate i saj do të ndërpritej nga ndryshimet kushtetuese që pritet të miratohen.

Sipas së përditshme kosovare, me ndryshimet që do të ndodhin, Jahjaga mund të mbajë detyrën e saj më së shumti edhe për gjashtë muaj.

Anëtarët e Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës thonë se në këtë formë ata do të respektojnë marrëveshjen mbi bazën e së cilës është zgjedhur Presidentja dhe e cila e përcakton se pas hyrjes në fuqi të amendamenteve kushtetuese brenda gjashtë muajve do të shpallen zgjedhjet.

Anëtarja e këtij komisioni, Vjosa Osmani, ka thënë se deputetët e angazhuar për amendamentimin e Kushtetutës nuk do t’ia shkurtojnë mandatin presidentes Jahjaga, por do ta përcaktojnë se zgjedhjet e ardhshme presidenciale duhet të mbahen brenda gjashtë muajve.

Top Channel