Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremic ka deklaruar se lajmet e publikuara në mediat kosovare për njohje të pavarësisë nuk janë të vërteta.
Sipas “REL”, këto të pavërteta i janë konfirmuar vetë Jeremic nga zyrtarë të vendeve afrikane, që sipas mediave kosovare kanë njohur Kosovën.
“Në Republikën e Afrikës Qendrore, për shembull, janë paguar para të mëdha që kjo të ndodhte, por me para nuk mund të blihet gjithcka”, ka deklaruar Jeremic, i sapokthyer nga një vizitë dyditore në Etiopi.
Jeremic, që pretendon se është takuar me zyrtarë të shumtë të Këshillit Ekzekutiv të Bashkimit Afrikan, ka theksuar se ka marrë garanci konkrete nga homologët.
“Ministrat e Jashtëm të Nigerisë dhe Afrikës së Jugut kanë deklaruar se qeveritë e tyre nuk do ta njohin Kosovën. Edhe qëndrimi i Etiopisë mbetet i palëkundur”, ka shtuar Jeremic.
Një ditë më parë, Jeremic, nga Adis Abeba, akuzoi Kosovën dhe fuqitë që e mbështesin atë se po tentojnë të blejnë njohjet e pavarësisë së Kosovës.
Gjithashtu, shefi i diplomacisë serbe theksoi se ndaj vendeve afrikane që nuk e kanë njohur ende shtetin e ri po bëhen presione dhe kërcënime të mëdha.
Reagimi i tij erdhi pasi disa ditë më parë autoritetet kosovare njoftuan se Gana ishte bërë shteti i 87 në botë që kishte njohur pavarësinë e vendit ballkanas.
Top Channel