Jensen: Mbështesim institucionin e Prokurorisë

27/01/2012 00:00

Ambasadori i Danimarkës në Tiranë, Z. Karsten Jensen, vendi i të cilit
ka kreun e radhës së Presidencës së BE, ka deklaruar se mbështet
institucionin e Prokurorisë në hetimet e saj duke vlerësuar
paanshmerinë e saj, si dhe punën profesionale.

Gjatë një takimi me kryeprokuroren Ina Rama, ai u shpreh se cdo institucion ka për detyrë të punojë në mënyrë të pavarur, bazuar në ligj dhe jashtë çdo ndërhyrjeje, për të garantuar shtetin e së drejtës.

Sipas zyrës së shtypit të Prokurorisë së Përgjithshme, në takimin e ambasadorit danez Jensen me kryeprokuroren Rama u trajtuan dhe çështje të veçanta me të cilat ndeshet drejtësia shqiptare, hetimi i plotë dhe i gjithanshëm i proceseve të ndryshme, siç janë ato që lidhen me ngjarjet e 21 janarit, transparenca dhe efektiviteti në gjykim.

Arvizu: Mbështetje të plotë prokurorisë

Më herët gjatë javës ishte ambasadori amerikan Alexander Arvizu, i cili në konferencën e shtypit të kryeprokurores Rama, deklaroi mbështetjen e plotë për prokurorinë shqiptare në kryerjen e hetimeve për 21 janarin.

Vetë prezenca e tij e tregonte këtë mbështetje, të cilën zoti Arvizu nuk ngurroi ta nënvizonte edhe me fjalë, sidomos pas sulmit të ardhur nga zyra e kryeministrit ndaj Prokurorisë së Përgjithshme.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara deklaroi prerë se hetimi është i paanshëm dhe hodhi poshtë akuzat politike ndaj institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme.

“Nuk mendoj se ky hetim është i motivuar politikisht. Mendoj se është e qartë se mbështetja jonë ka qenë e qendrueshme dhe e sigurtë”, deklaroi Arvizu.

Sipas ambasadorit amerikan, qëndrimi i ambasadës që ai drejton do të jetë gjithmonë në favor të organit të prokurorisë dhe do të mbetet i tillë deri në fund të hetimeve.

“Për këtë arsye SHBA mirëpresin ato që ka thënë sot prokurorja e përgjithshme. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim zyrën e saj derisa vazhdohet me këtë hetim dhe dëshiroj të theksoj se ka qenë qëllimi im që hetimi të ketë qenë i pavarur dhe i pamotivuar politikisht”, theksoi Arvizu.

Top Channel