Komandanti i trupave të KFOR-it, Erhard Drews ka deklaruar se situata në veri të Kosovës është e qetë, pavarësisht se barrikadat serbe vazhdojnë të jenë të pranishme.
Gjatë një vizite në Skënderaj, ku u takua me kryetarin e komunës Sami Lushtaku, Drews ka theksuar se KFOR po përpiqet të mbajë nën kontroll zonën veriore.
“KFOR-i i ka lëvizur barrikadat në rrugët kryesore duke mundësuar lëvizjen e njerëzve dhe automjeteve, por kanë mbetur disa në qytetin e Mitrovicës, që pengojnë lëvizjen e lirë”, ka deklaruar Drews.
Sipas gjeneralit, largimi i këtyre barrikadave është përgjegjësi e serbëve lokalë, edhe pse trupat ndërkombëtare do të japin kontributin e tyre përmes bisedimeve.
“Barrikadat janë në mendjen e njerëzve dhe për rrjedhojë ato duhet të largohen me mjete politike. Sigurisht, vetëdija e qytetarëve në veri ndikohet si nga politika, ashtu edhe nga struktura kriminale që nuk janë të interesuara që në Kosovë të sundojë rendi dhe ligji”, ka nënvizuar Drews.
Komandanti i misionit të NATO-s ndodhej në Skënderaj në kuadër të përgatitjeve që po bën KFOR për kalimin e kompetencave tek Policia e Kosovës.
Një ditë më parë, edhe vetë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, gjatë një raportimi në Bruksel për operacionet e Aleancës, deklaroi se situata në veri të Kosovës duhet të zgjidhet në rrugë politike.
Top Channel