Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso ka deklaruar se anëtarët e zonës euro duhet ta mbështesin Greqinë, në mënyrë që vendi të shmangë falimentimin.
Sipas tij, nëse Greqia falimenton, atëherë kriza ekonomike ku ka hyrë ajo nuk do të jetë vetëm një problem për vendin helen, por për të gjithë Evropën.
“Miqtë tanë grekë po bëjnë pjesën e tyre të punës, ne duhet t’i mbështesim sepse do të ishte e vështirë, jo vetëm për Greqinë por për eurozonën, nëse do të kishte një problem më të rëndë, një falimentim të saj”, ka deklaruar Barroso.
Aktualisht qeveria greke është në bisedime me kreditorët privatë, për të arritur një marrëveshje për normën e interesit mbi një kredi të re.
Bisedimet rifilluan ditën e enjte, por nuk nxorrën ndonjë rezultat, ndërkohë që edhe dy raundet e mëparshme të negociatave kanë dështuar, duke vënë në alarm Athinën zyrtare.
Nëse nuk do të arrijë një marrëveshje me kreditorët, qeveria helene nuk do të sigurojë dot këstin e ri të huasë madhore, gjë që e con direkt në falimentim.
Ministrat e Financave të eurozonës, të cilët u takuan të hënën në Bruksel, i bënë thirrje Greqisë që të përshpejtojë reformat strukturore për të përforucuar ekonominë e saj dhe rritjen përpara se fondet të lëshohen.
Ndërsa më herët komisioneri evropian për Cështjet Financiare, Olli Rehn deklaroi se Greqisë i duhet me doemos marrëveshja, në të kundërt nuk do të ketë më dritë në fund të tunelit.
Top Channel