Mbi 10 mijë qytetarë kanë firmosur deri tani kërkesën për të cuar në referendum dy nene të ligjit për menaxhimin e mbetjeve.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë kërkuar që të gjithë qytetarët të jenë pjesë e kësaj nisme.
“Ne u kërkojmë qytetarëve që të shkojmë në një proces demokratik, që ne të bëjmë një ligj, ose të anulojmë një ligj, në rastin konkret ne duam të anulojmë dy nene të një ligji. Kjo është kërkesa jonë. Mund ta kemi gabim, mund ta kemi të saktë, është faza tjetër ajo që do të vendosë. Ne duhet të firmosim dhe për këtë ka një ligj që kërkon 50 mijë firma, prandaj ne ftojmë qytetarët që të marrin pjesë në këtë proces, të firmosin këtë kërkesë tonën në mënyrë që të shkojmë në referendum, që do të ishte një risi për politikën shqiptare”, deklaron ambjentalisti Lavdosh Farruni.
Ardian Klosi ka nënvizuar se kjo nismë është shumë e rëndësisme për të ndalur importin e mbetjeve në Shqipëri nga vendet fqinje.
“Nëse i hapen portat importit të mbetjeve, të vendeve të huaja, në radhë të parë të fqinjëve, atëherë procesi është i pandalshëm dhe përfytyroni që do të përfshihet gjithë ultësira e Shqipërisë, përfshirë edhe një pjesë malore në këtë proces. Jemi në një moment delikat dhe të rrezikshëm për fatet e shëndetit të banorëve dhe të mjedisit”, tha zoti Klosi.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë theksuar se është domosdoshmëri që cdo qytetar para se të firmosi duhet të jetë i pajisur me kartën identitetit
Top Channel