OKB e shqetësuar për Libinë

26/01/2012 09:15

OKB është vënë në dijeni mbi lajmet se milicitë në Libi kanë dalë nga kontrolli dhe mbajnë mijëra persona të mbyllur në qendra sekrete burgimi, ndërkohë që qeveria e dobët e përkohshme përpiqet të shtrijë autoritetin e saj.

Këshilli i Sigurimit është informuar se aktet e fundit të dhunës të regjistruara në qytetet Tripoli, Bani Ualid dhe Bengazi kanë nxjerrë në dukje problemin.

Mbi 8 mijë mbështetës të Gaddafi-t mbahen nën kontrollin e grupeve militante, të cilat dyshohet se kanë kryer edhe tortura, deklaruan zyrtarë nga Kombet e Bashkuara.

Katër persona humbën jetën në Bani Ualid, një ish-bastion i kolonelit ditën e hënë. I dërguari i OKB-së për Libinë, Ian Martin tha të mërkurën në Këshillin e Sigurimit se përleshjet mes banorëve të armatosur të këtij qyteti dhe revolucionarëve janë keqraportuar sikur trupat pro-Gaddafi po rimarrin qytetin.

Megjithatë, tha ai, përplasja nxorri në dritë sfidën e pajtimit të mbështetësve të ish-liderit dhe rebelëve që luftuan për ta rrëzuar atë nga pushteti. Sipas tij, milicitë kanë qenë përgjegjëse për luftime të rënda në Tripoli dhe në qytete të tjera më herët gjatë muajit.

“Regjimi i vjetër mund të jetë rrëzuar, por realiteti i ashpër tregon se populli libian vazhdon të jetojë me trashëgiminë e rrënjosur të tij”, deklaroi Martin.

Ai e përshkroi situatën post-Gaddafi si të vështirë për shkak të mungesës së institucioneve, pluralizmit politik dhe organizatave të shoqërisë civile, që sipas tij e bëjnë tranzicionin më të vështirë.

Martin shtoi se disa hapa për shpërndarjen e ish-luftëtarëve janë marrë, por aktualisht qeveria libiane është e angazhuar në përpjekjet për të vendosur legjitimitetin e saj.

Top Channel