Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, paraqiti në Bruksel raportin e parë vjetor të veprimeve të Aleancës, duke vlerësuar se gjatë vitit 2011, NATO dha rezultate të prekshme në të gjitha operacionet e saj: në Afganistan, nëpërmjet stërvitjes dhe ngritjes së trupave vendase të sigurisë, në Libi, ku u shpëtuan shumë jetë falë ndërhyrjes kundër regjimit të Gaddafit, por, edhe në Kosovë, ku KFOR veproi kundër tensioneve në veri të vendit.

“Në Kosovë, ne u përballëm me efikasitet me ndezjen e papritur të tensioneve. Trupat tona ruajtën një klimë të qetë dhe të sigurtë për të gjithë popullin e Kosovës, me kujdes, me vendosmëri dhe me paanshmëri”, tha Anders Fogh Rasmussen, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Rasmussen mbështeti edhe deklaratat e një jave më parë të shefit të ri të Komitetit Ushtarak të NATO-s, se nëpërmjet veprimeve të saj të ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit, Aleanca kontribuon për krijimin e hapësirave për zgjidhje politike, dhe jo nëpërmjet konflikteve, për veriun e Kosovës.

“Unë jam plotësisht dakort me Gjeneralin Bartels se misioni i KFOR-it ndihmon në zgjidhjet paqësore dhe politike të konflikteve në veriun e Kosovës. Ne jemi atje për të siguruar një klimë të sigurtë dhe të qëndrueshme. Ne zhvillojmë veprimet tona në mënyrë të paanshme dhe në respekt të një statusi neutral. Në këtë mënyrë unë besoj se në mund të kontribuojmë për të krijuar hapësirën për zgjidhje politike afatgjate dhe të qëndrueshme”, tha Anders Fogh Rasmussen.

Në përfundim të raportit vjetor, Sekretari i Përgjithshëm nënvizoi se të gjitha operacionet e NATO-s u ndërrmorrën në një kohë të rëndë krize ekonomike për vendet anëtare. Rasmussen deklaroi se në samitin e ardhshëm të Çikagos, NATO do të duhet ti japë formë një Aleance të aftë për të kapërcyer krizën ekonomike të sotme, duke garantuar në të njëjtën kohë siguri për të ardhmen.

Përgatiti: Arta Tozaj
 

Top Channel