Policia e EULEX-it, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë vënë nën pranga një person i dyshuar se ka lidhje me vrasjen e efektivit të forcave special ROSU, Enver Zymberi, vrasje kjo e kryer gjatë operacionit për marrjen nën kontroll të dy pikave kufitare në Veri të Kosovës më 25 korrik të vitit të kaluar.

EULEX nuk bën me dije identitetin apo kombësinë e personit të prangosur, po mjaftohet të saktësojë se ai është arrestuar në fshatin Çabër, në Veri të Kosovës. Personi është duke u marrë në pyetje, thotë EULEX në një komunikatë për publikun.

Polici i forcave speciale të Kosovës, Enver Zymberi mbeti i vrarë me armë zjarri gjatë operacionit të 25 korrikut 2011, ku autoritetet e Prishtinës u përpoqën të vendosin rendin dhe ligjin në pjesën veriore të Mitrovicës, e sidomos në dy pikat kufitare, 1 dhe 31.

Operacioni pasoi reagimin e popullsisë serbe që kundërshton autoritetin e qeverisë së Prishtinës. Serbët bllokuan rrugët duke ngritur barrikada, madje edhe mbi urën e lumit Ibër, urë që lidh pjesën jugore me atë veriore të Mitovicës. Kur kanë kaluar gjashtë muaj nga ky operacion, veriu vazhdon të mbetet i izoluar nga pjesa tjetër e Kosovës.

Ndërkohë, strukturat paralele serbe në Veri, pritet të mbajnë një referendum ku qytetarët serbë do të thërriten për të vendosur nëse do të pranojnë apo jo qeverinë e Prishtinës. Kundër referendumit ka dalë Beogradi dhe radikalët serbë.

Top Channel