Reagime dhe kundër-reagime ka sjellë miratimi në senatin francez i ligjit që dënon mohimin e genocidit armen.
Turqia paralajmëroi presidentin francez Nikolas Sarkozi të mos e firmosë ligjin, duke argumentuar se një lëvizje e tillë do t’i jepte një goditje të rëndë marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në senatin francez ligji u miratua orët e vona të së hënës pavarësisht rrezikut të sanksioneve nga ana e Turqisë, duke komplikuar relatat dypalëshe edhe kështu tepër delikate.
Zyrtarë të lartë francezeëinsistuan se ligji nuk shënjestron drejtpërdrejtë Ankaranë. Por akuzat e genocidit, Turqia i sheh si kërcënim ndaj nderit të saj kombëtar dhe ka pezulluar tashmë marrëdhëniet politike, ushtarake dhe ato ekonomike me Parisin, ndërsa tërhoqi përkohësisht edhe ambasadorin e saj në Francë muajin e kaluar.
Ministri i Jashtëm francez, Alain Juppe i bëri thirrje Ankarasë të mos bëjë veprime të nxituara e të ruajë qetësinë.
“Ajo që po ndodh në Francë nuk ka për objektiv Turqinë, ne e respektojmë atë si vend. Turqia e sotme, populli turk janë tjetër gjë dhe ne e mirëpresim me krahët hapur. Uroj që të mos reagojë ashpër ndaj asaj që po ndodh në Francë”, tha Juppe
Diaspora armene me shumë influence në Francë ka lobuar papushim për mbështetje ndërkombëtare për ta detyruar Turqinë të pranojë vrasjen e 1.5 milionë armenëve në 1915-ën.
“Rezultati i votimit është pasojë e një pune shumë të madhe të bërë në këtë drejtim. Një sërë vendesh sot, sidomos që nga rrëzimi i murit të Berlinit, i pranojnë gabimet e së shkuarës dhe po rishikojnë historinë. Vetëm Turqia nuk pranon ta bëjë një gjë të tillë”, tha Jean-Claude Kebadjan, përfaqësues i diasporës armene.
Ligji i miratuar në Francë parashikon një vit heqje lirie dhe gjoba deri në 45.000 euro për mohimin e genocidit armen. Deri tani në Francë dënohej vetëm mohimi i Holokaustit.
Top Channel