Kriza financiare globale, tërmeti dhe tsunami që pasoi rrjedhjen e lëndëve radioaktive në centralin bërthamor të Fukushimas dhe kriza e eurozonës bënë që për herë të parë që nga viti 1980, Japonia të deklarojë një deficit tregtar në raportet import-eksport.
Ekonomia e tretë botërore (e parakaluar nga Kina vitin e kaluar) raportoi për 2011-n humbje në tregtinë globale me 2.49 trilion jen (rreth 38.3 miliard euro).
Analistët ndërkombëtarë dhe japonezë japin disa shkaqe për këtë që lidhen kryesisht me katastrofat natyrore. Tërmeti i shoqëruar më pas nga tsunami në muajin mars të 2011-s, rëndoi bilancin negativ të ekonomisë, e cila edhe pa këto tragjedi ndodhej në një gjendje aspak të mirë, për shkak të krizës financiare botërore. Për të ardhur më pas tek përmbytjet që goditën Tajlandën dhe shumë vende të Azisë Jug-lindore, vende ku Japonia eksporton fuqishëm produkte industriale, sidomos automobilat.
Pikërisht ky sektor është prekur më shumë. Tërmeti dhe tsunami shkatërruan infrastrukturën dhe disa fabrika prodhimi të automjeteve në rajonin e Fukushimas. Kostoja e dëmeve ishte mjaft e lartë cka detyroi qeverinë japoneze të shkurtojë investimet dhe fondet për ringritjen e ekonomisë dhe të përqendrohet tek tejkalimi i krizës së Fukushimas, krizë e cila zgjati për muaj me radhë.
Tsunami shkaktoi dëmtimin e centralit bërthamor të Fukushimas duke cliruar në mjedis jod radioaktiv, tepër i dëmshëm për njeriun. Në një situatë të tillë dhe në qendër të kritikave të ambjentalistëve, qeveria japoneze u detyrua të ndërpresë përkohësisht punën në centralet bërthamore më të mëdha në vend, duke bazuar prodhimin e energjisë në lëndën e parë të importuar, karburantet. Edhe kjo, sipas ekonomistëve japonezë, ndikoi në rritjen e deficitit tregtar të vendit.
Por, ai që shqetëson më shumë japonezët dhe qeverinë e tyre është parashikimi i zymtë për të ardhmen, pasi sinjalet pozitive të tregjeve vendase tronditen herë pas here nga kriza e eurozonës, e cila ende nuk ka një zgjidhje.
Top Channel