Brukseli emëroi sot ish-ministrin e Jashtëm të Sllovenisë, Samuel Zhbogar, si përfaqësues të posacëm dhe shef të delegacionit të BE-së në Kosovë.

Në bazë të planit të punës, ai duhet të promovojë stabilitetin, paqen dhe demokracinë në një Kosovë multietnike, duke kontribuar në zhvillimin, konsolidimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, si dhe në bashkëpunimin rajonal të vendit.

Gjithashtu, ai ka për detyrë të ofrojë këshillat e BE-së në procese politike, të forcojë prezencën e Unionit dhe të garantojë koherencën dhe efektshmërinë në Kosovë, duke mbështetur progresin e vendit drejt Bashkimit Europian.

Për këtë pozicion, Zhbogar u nominua fillimisht më 21 dhjetor nga Përfaqësuesja e Lartë Catherine Ashton, pas humbjes së partisë së tij në zgjedhjet e përgjithshme në Slloveni.

Zyrtarisht Zhbogar do të nisë punën më 1 shkurt 2012 dhe mandati i tij përfundon më 30 qershor 2013. Ai është 49 vjec, i martuar, ka 3 femijë dhe flet rrjedhshëm anglisht, frëngjisht, italisht dhe serbo-kroatisht.

Top Channel