Arvizu takon Topin, diskutohet situata politike

24/01/2012 00:00

Një ditë pasi u shfaq në krah të Ina Ramës dhe arrestimeve të bujshme të
Prokurorisë, Aleksandër Arvizu u takua me kërkesën e tij, me
Presidentin e Republikës Bamir Topi.

Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës, Presidenti shkëmbeu mendime me ambasadorin lidhur me çështjet e politikës aktuale, tek të cilat është përqendruar edhe debati i kohëve të fundit.

Presidenca, pa dhënë shumë detaje konkrete, njofton se në takim është prekur pavarësia dhe mirëfunksionimi i institucioneve të pavarura kushtetuese, reforma në drejtësi, ligjet e nevojshme që kërkojnë një shumicë të cilësuar në Parlament, miratimi i Gjykatës Administrative, sfidat politike dhe ato të integrimit, me të cilat pritet përballja gjatë vitit 2012 si dhe situata në rajonin e Ballkanit. Kreu i shtetit, thotë njoftimi i presidencës, ritheksoi qëndrimin e tij se do të vijojë të apelojë për t’ia përcjellë këto mesazhe klasës politike shqiptare dhe do ta vazhdojë të jetë President deri ditën e fundit të mandatit të tij.

Si institucion i pavarur kushtetues, Prokuroria u vu edhe dje nën akuzat e kryeministrit për hetim të njëanshëm politik për ngjarjet e 21 janarit. Por po dje, në konferencën e përbashkët për shtyp me Ina Ramën, ambsadori Arvizu sqaroi se për ambasadën hetimi nuk ka qenë politik.

 

Top Channel