Shefi i ekipit negociator serb, Borko Stefanovic ka deklaruar se nuk është përcaktuar ende një datë për raundin e ri të bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës.

“Për Beogradin është e papranueshme parulla “pa paragjykimin e statusit”, që lidhet me përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale”, ka thënë Stefanovic.

Deklarata e negociatorit serb vjen në një moment kur shefat e diplomacive të vendeve të BE po shtojnë apelet për sa më shumë progres në dialogun dypalësh.

Javën e kaluar ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt deklaroi se Brukseli pret të shohë më shumë progres në procesin e bisedimeve.

“Ne do të ndjekim me vëmendje dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës dhe po ashtu situatën në veri të Kosovës”, tha Bildt gjatë një vizite në Zagreb.

Një apel analog erdhi gjithashtu nga ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, i cili i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të vijojnë dialogun duke treguar më shumë fleksibilitet.

Westerwelle deklaroi se është në interes të dy palëve dhe gjithë rajonit që në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE të arrihet sa më shpejt progres për cështjet teknike.

“Duhet arritje e shpejtë e progresit në bisedime, pasi kjo është në interes të Kosovës, Serbisë dhe gjithë stabilitetit rajonal”, tha Westerwelle.

Ndërkohë, ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në këtë proces, Robert Cooper pritet të vizitojë gjatë kësaj jave Beogradin.

Top Channel