
Nita dhe Vjosa, nga skuadra e Eltonit dhe Miriamit, janë dy vajzat që
kanë lënë garën mbrëmjen e së premtes në “The Voice of Albania”.
Të dyja e shohin këtë eksperiencë si fillimin e një rruge në karrierën e tyre artistike. Këtë të premte do të interpretojnë “live” të 12 këngëtarët e të katërta skuadrave. Në përfundim të mbrëmjes, vetëm dy këngëtarë për çdo skuadër do të kalojnë në fazën tjetër
Kur vendosi të bëhej pjesë e “The Voice of Albania”, Nita Bahtiri donte të tregonte talentin në këngë, pse jo edhe të fitonte. Shkoi shumë afër kësaj ëndrre. Mbrëmja e së premtes shënoi prezantimin e saj në këtë spektakël. Së pari, vendimi i publikut e çoi në “Sing off” dhe në përballje me Yllin, Elton Deda, trajneri i tyre, zgjodhi të vazhdonte me këtë të fundit. Një vendim i vështirë për Eltonin, i cili pavarësisht kësaj zgjedhjeje, ka vlerësuar cilësitë artistike të Nitës, i bindur se ajo do të ecë përpara. Këtë bindje e ka edhe vetë Nita, e cila e sheh “The Voice” si hapin e parë të mbarë drejt karrierës së saj.
Rrugëtimi yt në “The Voice of Albania” ka përfunduar mbrëmjen e së premtes. Duke qenë se gara tashmë ishte bërë shumë e fortë, ishe përgatitur për një largim të mundshëm?
Sigurisht që i frikësohesha daljes në “Sing off” sepse shanset për një gjë të tillë ishin 50/50 dhe kjo e bënte shumë të vështirë dhe mjaft stresuese. Por të them të drejtën ikjen nga “The Voice” këtë javë nuk e mendoja, sepse vërtet nuk doja që ta çoja as nëpër mend.
“Sing off” të vuri në përballje me Yllin. E prisje një gjë të tillë?
E kisha një parandjenjë që do dilja pikërisht me Yllin. Nuk e di pse, por thjesht e ndjeja!! Këtë ia thashë Yllit që në backstage. Ishte jashtëzakonisht e vështirë për mua, sepse Ylli është konkurrenti me të cilin kam krijuar më shumë afrimitet dhe kemi kaluar shumë kohë bashkë që nga fillimi i rrugëtimit në “The Voice of Albania”. Edhe pse u eliminova, unë jam shumë e lumtur për shokun tim, i cili iu afrua edhe më shumë realizimit të ëndrrës së tij dhe uroj me gjithë shpirt që t’i shkojë deri në fund!!
Pse mendon që publiku të votoi më pak këtë javë?
Mendoj që arsyeja ishte sepse nuk arrita t’i transmetoj jashtë emocionet e vërteta që unë ndjeva. E përjetova shumë atë performancë, thjesht nuk isha në gjendje ta transmetoja fizikisht dhe kjo gjë krijoi përshtypje jo aq të mirë te trajnerët së pari, e pastaj te publiku.
Kur ka nisur pasioni yt për muzikën?
Pasioni im për muzikën ka nisur që në moshën 5-vjeçare. Mbaj mend që gjithmonë isha e pasionuar pas këngës dhe pianos. Sa herë kisha kontakt me pianon, emocionohesha jashtë mase, harroja gjithçka dhe luaja melodi, edhe pse nuk e kisha idenë se çfarë po luaja. Pastaj në moshën 6-vjeçare mami dëgjoi për një audicion muzikor, ku drejtori i atij kursi u befasua nga veshi i zhvilluar që kisha. Aty mora të parin gjykim profesional dhe një “PO” të madhe për nismën time si muzikante.
Ti studion për piano. Si do të vazhdojë marrëdhënia jote me këngën?
Unë studioj për piano që nga mosha 8-vjeçare dhe që atëherë nuk jam ndalur. Pianon e kam pasur gjithmonë primare, sepse kam shumë vite që studioj për të, por gjithnjë me një pasion të madh për këngën. Tani mendoj që do bëj bashkë dy gjërat që i dua më shumë, pra pianon dhe këngën dhe them që do punoj drejt formimit të një karriere si këngëtare-pianiste.
Cili ishte qëllimi yt kur vendose të bëheshe pjesë e “The Voice”?
Qëllimi im ishte që thjesht njerëzit ta shihnin talentin tim, t’i hapja më shumë rrugë vetes, sepse është diçka që më duhet dhe do më duhet gjithmonë për formimin tim si artiste.
Ti zgjodhe Elton Dedën si trajner. Si ka qenë ky bashkëpunim?
Bashkëpunim shumë profesional, tamam ashtu si doja që të ishte. Bisedat e vetme që kemi bërë kanë qenë në lidhje me muzikën dhe për këtë jam shumë e kënaqur, sepse ishte pikërisht ajo që unë doja të merrja nga “The Voice”. Elton Deda është profesionist i vërtetë, ai sheh detaje që rrallëkush mund t’i shohë dhe e di ç’është arti i vërtetë. Unë këtë gjë po shpresoja që ai ta kishte që në fillim kur e zgjodha.
Je kthyer tashmë në Kosovë. Cili ka qenë reagimi që ke gjetur?
Normalisht që ka pakënaqësi si çdo herë, ka njerëz që më dërgojnë mesazhe, duke thënë që nuk e meritoja largimin, ka edhe të tjerë që thonë të kundërtën nëpër fan page, por pakënaqësitë janë pjesë e pandashme e çdo kompeticioni. Atë natë u mërzita shumë, por tani që po shikoj anët pozitive dhe të gjitha gjërat e vlefshme që kam fituar tek “The Voice”, ndjehem shumë shumë e lumtur dhe me fat.
Si do ta përkufizoje përvojën e “The Voice”?
“The Voice” është eksperienca më e bukur dhe më emocionuese që kam përjetuar ndonjëherë. Më pasuroi artistikisht shumë dhe po ashtu më formoi edhe më shumë si karakter e personalitet. Do ngelet gjithnjë një ndër kujtimet më të bukura të jetës sime.
Vjosa: Mësova të kem vetëbesim në vlerat e mia
Vjosa, vajza 16-vjeçare nga Mitrovica, ishte e skualifikuara e mbrëmjes së të premtes nga skuadra e Miriamit. Në përballje me Elisin në “Sing off”, nuk mundi të shkojë më tutje. Lidhja e saj me muzikën nis në moshë fare të vogël. Dëshira e madhe e Vjosës është të bëhet një këngëtare profesioniste dhe eksperienca në “The Voice of Albania” e ka ndihmuar të hedhë hapat e duhur. E gjendur ngushtë mes saj dhe Elisit, Miriam Cani i ka premtuar Vjosës se do të vazhdojë ta ndihmojë në rrugën e saj artistike edhe pas këtij spektakli.
Rrugëtimi yt në “The Voice of Albania” ka përfunduar mbrëmjen e së premtes. Për çfarë të erdhi më shumë keq?
Isha lidhur shumë me të gjithë në këtë spektakël dhe do më mungojnë që nga stafi i mrekullueshëm, duke përfshirë edhe trajneren, por edhe konkurrentët e tjerë. Nuk më vjen aq keq që gara ime në “The Voice” mbaroi, sepse duke parë anën pozitive, mendoj që të gjithë kemi arritur shumë dhe kjo eksperiencë do të na ndihmojë në rrugëtimet tona artistike.
“Sing off” të vuri në përballje me Elisin. Në një rast të tillë, cilin do të kishe preferuar të kishe përballë, referuar vokalit?
Kishim mbetur vetëm katër konkurrentë dhe ishte normale që dy nga ne duhet të përballeshin me “Sing off”-in se s’bën. Nuk është se unë kisha ndonjë preferencë se cili do dilte përballë meje. Ishte zgjedhja e publikut dhe unë nuk e vë aspak në dyshim!
Çfarë mendon se nuk shkoi në interpretimin tënd të kësaj jave?
Nuk e di…Ndoshta ai fillimi i pasigurt, siç e cekën anëtarët e jurisë. Nuk e di se si ndodhi, ndoshta kisha probleme me dëgjimin sepse në momentin kur hynë të gjitha instrumentet, unë isha ok! Me tonalitetin, sidoqoftë, unë prapë jam shumë e kënaqur me të gjitha performancat e mia. Po ashtu, edhe atë natë, duke përfshirë duetin dhe në fund “Sing off”-in.
Lidhja jote me muzikën është shumë e hershme. Si ka nisur?
E kam cekur edhe më herët që lidhja me muzikën ka nisur që në moshën 4-vjeçare, kur unë u prezantova në festën e nënave, për të vazhduar më tej me angazhime të tjera nëpër festivale dhe koncerte të ndryshme për fëmijë, me njerëz të cilët më mbështetën në çdo hap, pa e harruar edhe shtyllën kryesore, familjen time!
Ti studion për muzikë dhe ke edhe një grup. Pse vendose të ishe pjesë e “The Voice”. Do të ndihmojë popullariteti për të vazhduar?
Unë nuk studioj për muzikë, jam në vitin e dytë në gjimnaz, mirëpo është një shkollë jo e detyrueshme “Mitrovica rock school” ku unë shkoj për dëshirën time. Aty kam një bandë, me të cilën herë pas here mbajmë koncerte të ndryshme “live” dhe kjo më ka ndihmuar shumë.
U pa që Miriam Cani u gjet ngushtë në zgjedhjen mes teje dhe Elisit. Si ka qenë bashkëpunimi me të?
Përveç mënyrës profesionale, Miriami u bë shumë e afërt me ne. Një gjë krejt normale pas gjithë atyre ditëve që kaluam së bashku. Është një person që më ka ndihmuar shumë dhe më ka dhënë vetëbesim në vlerat e mia artistike. Isha shumë me fat që e zgjodha që në fillim, sepse ato që kam mësuar nga Miriami nuk do të mbeten vetëm në kornizat e “The Voice”, por do të më ndihmojnë shumë në rrugëtimin tim artistik të mëtejshëm!
“The Voice” ngjiti në skenë shumë konkurrentë nga Kosova, të cilët edhe spikatën me vokalin e tyre. Mendoni se në të ardhmen do të ketë bashkëpunime mes jush?
Ku i dihet, pas gjithë atyre talenteve, edhe mundet!
Je kthyer tashmë në Kosovë. Cili ka qenë reagimi që ke gjetur?
Kishte reagime të llojllojshme, 98 për qind kanë qenë reagime pozitive si në rrjetin social “Facebook” dhe “Twitter”, ashtu edhe nga njerëzit e afërm. Qytetarët e Mitrovicës më kanë përgëzuar për performancat e mia dhe qëndrimin tim atje. Dy përqindëshi mbeti për ata që nuk më kishin qejf, reagime të cilat i pashë në “Facebook”, por kjo është shumë normale. Jo të gjithë kanë mendim pozitiv!
Si do ta përkufizoje përvojën e “The Voice”?
“The Voice of Albania” është një eksperiencë që do ta mbaj mend gjatë tërë jetës. Edhe para se të konkurroja në “The Voice” kisha një ëndërr dhe e falënderoj shumë “The Voice” që realizimin e asaj “ëndrre” e afroi shumë me realitetin. Ishte ëndrra që unë të bëhem një këngëtare me vlera të mirëfillta artistike dhe “Voice of Albania” më dha hapat e mbarë!
Top Channel