Krerët më të lartë të Bashkimit Europian përshëndetën rezultatin pozitiv të referendumit të së dielës në Kroaci, pro anëtarësimit.

Në një komunikatë të përbashkët për shtyp, Presidenti i BE-së, Herman Van Rompuy dhe Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso thonë se nje gjë e tillë “dërgon një sinjal të qartë ndaj gjithë rajonit dhe tregon se kurajo politike dhe reformat vendimtare e bëjnë të prekshëm anëtarësimin”.

Njësoj edhe Presidenti i sapozgjedhur i Parlamentit Europian, Martin Schultz, thotë se “Shembulli kroat i dërgon sinjale pozitive dhe inkurajuese të gjithë rajonit të Ballkanit, se kur ndiqen reformat, BE përgjigjet”. Ndërkohë që Këshilli i Ministrave të Jashtëm mirëpriti kolegen kroate Vesna Pusiç, e cila ulet për herë të parë në tryezën ku ndër të tjera, diskutohet edhe për Serbinë dhe Kosovën.

“Është një rezultat mjaft i pëlqyeshëm e do të jetë shumë kënaqësi që të kemi Ministrin e ri të Jashtëm të Kroacisë që do të ulet me ne në këtë Këshill të parë mbi çështjet e jashtme, duke iu bashkuar 27-shes. Megjithëse quhet statusi i vëzhguesit, unë shpresoj shumë të shoh Kroacinë në përparimin tonë dhe kjo është një kënaqësi e madhe”, tha Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton.

“Së pari dua të përgëzoj Kroacinë për referendumin, një lajm i mirë për Kroacinë dhe Europën. Kjo tregon se çfarë mund të arrijë Europa Juglindore me kurajo politike e vendosmëri të vërtetë dhe është e këndshme të mirëpresim kolegun tonë kroat sot”, deklaroi William Hague, Sekretari Britanik i Shtetit për Cështjet e Jashtme.

“Sa herë një vend përmbush kushtet për t’u bashkuar me ne, është diçka e mirë, e sidomos kur është nga rajoni i Ballkanit, ku ne duhet të tentojmë të zgjerojmë sa më shpejtë Unionin me këtë rajon, në kushtet më të mira të mundshme”, thotë Didier Reynders, Ministër i Jashtëm i Belgjikës.

Nëse ratifikimi nga vendet anëtare vijon pa pengesa, Kroacia pritet të anëtarësohet në BE më 1 korrik të vitit 2013.

Top Channel