Kryetari i Partisë Liberal-Demokrate serbe, Oliver Jovanovic ka deklaruar sërish se Beogradi zyrtar duhet të ndryshojë politikën ndaj Kosovës dhe të përqendrohet tek ajo e integrimit.

Jovanovic, i cili më herët zhvilloi një takim me zëvendës-ndihmës sekretarin e Shtetit, Philip Reeker, ka nënvizuar gjithashtu se politika serbe duhet të heqë dorë nga rezoluta 1244.

“Serbisë i duhet një ide e re, guxim politik dhe përgjegjësi dhe jo negociatat pa fund apo lidhja e verbër me rezolutën 1244, që është mbeturina e fundit e kapitullimit të Milloshevicit”, ka deklaruar Jovanovic.

Ai ka vlerësuar më tej se politika aktuale serbe nuk është në gjendje të luajë si duhet rolin e saj, por ka shprehur bindjen se kursi i Serbisë do të ndryshojë me ardhjen në pushtet të qeverisë së re.

“Krijuesit e deritanishëm të politikave shtetërore nuk kanë fuqi të luajnë rolin e liderit, por besoj se do të gjejnë potenciale në qeverinë e ardhshme dhe të përcjellin qasje të re nda cështjes së Kosovës dhe të ardhmes euroatlantike”, ka shtuar Jovanovic.

Kryetari i PLD-së njihet për qëndrimet e tij pro-evropiane dhe ndryshe nga ato të politikës aktuale serbe që është në pushtet dhe refuzon të njohë Kosovën.

Disa herë ai ka deklaruar se Beogradi duhet ta ndërmarrë një hap të tillë, gjë që ka bërë që në adresë të tij të mbërrijnë një sërë kërcënimesh me jetë.

Top Channel