Kroatët janë thërritur këtë të dielë për të marrë pjesë në referendumin që do të vendosë nëse vendi do t’i bashkohet Bashkimit Europian apo jo.

Klasa politike në vend shprehet e bindur se kroatët do të zgjedhin rrugën e hyrjes në BE, pavarësisht krizës nëpër të cilën po kalon unioni, për shkak të gjendjes jo të mirë të monedhës së përbashkët.

“Ne presim një rezultat pozitiv nga referendumi, pozitiv d.m.th që kroatët t’i bashkohen BE-së. Referendumi do të vendosë një rezultat pozitiv, sigurisht, ndoshta jo me rezultatet e referendumeve të mbajtura në disa vende të tjera”, deklaroi Dusko Kisberi, lideri i Asamblesë Demokratike, parti pjesë e koalicionin Kukuriku, që ndodhet në pushtet.

Kryeministri kroat, Zoran Milanovic, e quajti votimin si “vota e mijëvjecarit” për kroatët, ndërkohë që Ministrja e Jashtme, Vesna Pusic paralajmëroi qytetarët se mund të humbasin 1.6 miliard euro fonde nga BE, nëse e refuzojnë atë.

Por megjithë kundërshtitë dhe zhurmëzn e grupeve kundër futjes së vendit në BE, pritshmëritë janë pozitive. Një sondazh i mbajtur më 4 janar tregoi se 55.1 përqind e kroatëve mbështesin integrimin, 33.3 përqind janë kundër tij dhe 11 përqind të pavendosur. Për t’u miratuar, mjafton mazhoranca e thjeshtë.

Top Channel