Në prag të referendumit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, një grup protestuesish nacionalistë janë përleshur me forcat e policisë kroate në qendër të Zagrebit.

Sipas “REL”, përleshja ndodhi në fund të një tubimi, kur nacionalistët tentuan të hiqnin një flamur të BE-së të vendosur në një ndërtesë.

Në manifestim merrnin pjesë rreth 1 mijë persona, shumica e të cilëve veteranë të luftës dhe protestues të djathtë që kundërshtojnë anëtarësimin e vendit në Union.

Mësohet se nga përleshjet disa persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa tre të tjerë janë arrestuar nga forcat e policisë.

Incidenti i sotëm rrit tensionet para referendumit të ditës së diel, ku kroatët do të japin përgjigjen e tyre nëse duan apo jo anëtarësimin në BE.

Kroacia nënshkroi traktatin e pranimit me Unionin Evropian vitin e kaluar dhe pritet që t’i bashkohet bllokut 27-anëtarësh në korrik të vitit të ardhshëm.

Klasa politike në vend shprehet e bindur se kroatët do të zgjedhin rrugën e hyrjes në BE, pavarësisht krizës nëpër të cilën po kalon unioni, për shkak të gjendjes jo të mirë të monedhës së përbashkët.

“Ne presim një rezultat pozitiv nga referendumi, pozitiv d.m.th që kroatët t’i bashkohen BE-së. Referendumi do të vendosë një rezultat pozitiv, sigurisht, ndoshta jo me rezultatet e referendumeve të mbajtura në disa vende të tjera”, deklaroi Dusko Kisberi, lideri i Asamblesë Demokratike, parti pjesë e koalicionit në pushtet.

Ndërsa kryeministri Zoran Milanovic e quajti votimin si “vota e mijëvjecarit” për kroatët, ndërkohë që ministrja e Jashtme, Vesna Pusic paralajmëroi qytetarët se mund të humbasin 1.6 miliard euro fonde nga BE nëse e refuzojnë atë.

Një sondazh i mbajtur më 4 janar tregonte se 55.1 për qind e kroatëve mbështesin integrimin, 33.3 përqind janë kundër tij dhe 11 për qind të pavendosur. Për t’u anëtarësuar mjafton një mazhorancë e thjeshtë.

Top Channel