“Në Kërkim të Kujt” është filmi artistik me pesë seri që do të nisë nga e diela e 29 janarit në ekranin e Top Channel.
Një prodhim i Top Channel, me regji të Gjergj Xhuvanit, i gjinisë policesk dhe social. Ngjarjet vërtiten rreth Mark Dobjanit, interpretuar nga Niko Kanxheri.
Një njeri që ka humbur gjithcka dhe jeta e të cilit, përvecse e zhytur në mister, është edhe në fije të perit. Dy persona përpiqen ta shpëtojnë: hetuesi i policisë Almir Bali, interpretuar nga Kastriot Caushi dhe doktoreshë Afërdita, roli i Luiza Xhuvanit.
“Personazhi im përballet me personazhe e ngjarje të ndryshme, njëri mes jetës e vdekjes, tjetri që do t’i japë humanizëm jetës, ndërsa një tjetër që do të marrë jetë pasi për të paraja është gjithcka. Por personazhi im i shikon drejt e në sy të gjithë këta personazhe e këto ngjarje dhe sillet pa shumë zhurmë, në mënyrë njerëzore e profesionale”, tregon Caushi
“Detyra e saj është të sjellë në jetë së pari fizikisht pacientin e saj dhe së dyti moralisht. Gjithashtu, është dëshira e madhe që ka personazhi im për ta sjellë në jetë dhe pamundësia për ta bërë këtë. Do t’i referohesha një batute të kolegut tim, aktorit Mevlan Shanaj, që më thotë: “në cilën jetë do ta sillni?”, – “në këtë jetë që bëjmë unë edhe ti”, i them unë”, rrëfen Xhuvani.
“Në Kërkim të Kujt” do të transmetohet cdo të dielë, duke nisur nga data 29 janar. Filmi, me skenar të Dhimitër dhe Gjergj Xhuvanit, trajton elemente dhe histori që prekin pjesë të së përditshmes.
“Do doja të vlerësoja faktin se ky prodhim është një rikthim në traditën e filmit televiziv, që sot është një eksperiencë në ekranet e të gjithë botës. Do të jetë publiku shqiptar do ta thotë vlerësimin për të, por mendoj se gjithkush do ta gjejë veten pasi filmi bën fjalë për histori shqiptare. Gjithashtu, ka një kast të madh aktorësh, që nga ikonat e kinematografisë e deri tek të rinjtë. Gjithashtu vlerësoj punën edhe të stafit teknik, pasi të gjithë bashkë ata kanë bërë maksimumin për realizimin e këtij filmi”, thotë producenti Dritan Huqi.
Top Channel