Gërdeci, mbrojtja e të akuzuarve

20/01/2012 00:00

Në seancën e radhës ndaj 29 të pandehurve për tragjedinë e Gërdecit u mbrojt ish-sekretari i Ministrisë së Mborjtjes, Ardian Mullahi, nën akuzë për shpërdorim detyre.

Dy avokatët mbrojtës të tij, Vladimir Meci dhe Andi Meci i thanë gjykatës se prokuroria e ka ngatërruar rolin e të pandehurit, duke e trajtuar disa herë funksionin e sekretarit të përgjithshëm si një funksion vendimmarrës, ndërkohë që sipas avokatëve, klienti i tyre ka patur vetëm detyrë përcjellëse për dokumentat.

Detyra e sekretarit të përgjithshëm – vijuan avokatët – është funksion koordinues mes ministrisë dhe institucioneve të tjera.

Sipas tyre, ky funksion verifikon vetëm anën proceduriale dhe kur bindet se strukturat përgjegjëse janë shprehur në këtë drejtim, ai ua përcjell dokumentat strukturave përkatëse.

Avokatët theksuan se është absurde që në bazë të fakteve Mullahi të akuzohet se ka nënshkruar një dokument për të iniciuar mbledhjen e një komisioni në një kohë që kjo gjë ka ndodhur në zbatim të urdhërit të ministrit.

Avokatët akuzuan prokurorinë se përpjekjet që bën ajo për të implikuar me lojra fjalësh të mbrojturin e tyre është profesionalisht e pandershme dhe logjikisht e papranueshme.

Ish-sekretari Ardian Mullahi, sipas mbrojtjes, nuk ka kryer asnjë veprim apo mosveprim të kundraligjshëm sepse ai nuk bën pjesë tek hartuesit e dokumenteve sic përpiqet ta përfshijë pa të drejtë organi i akuzës, deklaroi mbrojtja.

Top Channel