Ja si Berisha do autokratizëm e jo demokraci

19/01/2012 00:00

Andrea Stefani – Aksionet politike të shumicës në pushtet po nxjerrin gjithnjë e më në
pah gjakimin autokratik të Kryeministrit Sali Berisha në kurriz të
projektit të demokracisë liberale në Shqipëri dhe integrimit të saj me
Europën.

Përveç presioneve mbi prokurorinë dhe përdorimit të gjyqësorit për të mbrojtur aleatë të korruptuar, brirët prej autokrati të Berishës janë shfaqur së fundi edhe në ambicien për të zgjedhur, në të ardhmen e afërt, në postin e Presidentit të Republikës një nga delfinët e tij politikë.

Një ambicie që jo vetëm është kritikuar me kohë nga segmente të medias vendase dhe opozitës, po ka ngjallur shqetësimin edhe të përfaqësuesve të komunitetit diplomatik ndërkombëtar. Një nga këto figura ishte, së fundi, Xhon Uidhers, ish-ambasadori amerikan në Tiranë, që në një intervistë dhënë “Zërit të Amerikës”, i ka treguar Berishës se cili është një qëndrim vërtet prej demokrati në këtë çështje që pritet të bëhet qendra e debatit politik në muajt në vijim.

* * *

Ish-ambasadori Uidhers i është bashkuar, në thelb, qëndrimit të shumë diplomatëve perëndimorë në Tiranë që kanë sugjeruar zgjedhjen e një presidenti me konsensus, të një presidenti që të qëndrojë mbi palët. Sugjerime që kanë ndeshur kundërshtimin e vendosur të Kryeministrit dhe të shpurës së tij. Jo më larg se dy ditë më parë, në një takim me grupin parlamentar të PD, Berisha ritheksoi se mazhoranca “ka potenciale të mëdha njerëzore për t’i dhënë vendit një personalitet, një president me integritet të lartë që të përmbushë detyrimet e tij”. Një qëndrim që është i kritikueshëm nga shumë pikëpamje. Frazat “potenciale të mëdha”, “personalitet”, “me integritet të lartë” nuk thonë asgjë dhe janë thjesht vlerësime subjektive të Berishës për njerëzit e tij. Por kryesore, për mirëfunksionimin e demokracisë, mbetet çështja që Presidenti i Republikës të mos dalë nga shumica, përjashtuar rasteve kur një person pranohet nga pakica kur ajo shfaqet e bindur se një kandidaturë e tillë ka potenciale sublimuese për të mos u bërë zbatues ekskluziv i vullnetit të shumicës. Sepse demokracia kërkon ndarje pushtetesh dhe një President i dalë prej shumicës, maksimalizon shanset e kapjes nga shumica të të gjitha pushteteve. Por Berisha është autokrat në mendësi dhe prandaj është kundër një qeverisjeje demokratike, me pushtete të ndara e të kufizuara. Ai lakmon që pushteti i tij të jetë pa kufi dhe pa fund. Si bolshevikët dikur që thërrisnin “gjithë pushtetin sovjetëve”, Berisha thërret: Gjithë pushtetin PD! Prandaj, duke iu kundërvënë sugjerimit të ambasadorëve Arvizu, Sequi, Wollfarth, Jensen, Mcllwham u përpoq të bëjë një sofizëm me gjoja “respektimin” e Kushtetutës. Është e njëjta taktikë e përdorur kohë më parë për të penguar transparencën e zgjedhjeve të vitit 2009. Në mënyrë krejt të pasinqertë, Berisha deklaroi se e respekton si askush mendimin ndryshe të ambasadorëve për një president konsensual, por nuk ka se ç’t’i bëjë Kushtetutës, e cila duhet zbatuar “pikë për pikë”. Një tjetër sofizëm që bën t’i dalin brirët e autokratit mbi kokë.

* * *

Sofizëm që ia kritikon edhe ish-ambasadori Uidhers në një intervistë të transmetuar dje në stacionin “Zëri i Amerikës”. Sipas Uidhers, çështja e zgjedhjes së Presidentit të Republikës do të tregojë qartë nëse liderët politikë janë të angazhuar realisht për demokracinë apo jo. Duke pasur parasysh se, me ndryshimet e bëra në Kushtetutë në prill 2008, Presidenti mund të zgjidhet edhe vetëm me votat e shumicës, Uidhers deklaroi se një lider që ka vërtet në shpirt demokracinë “nuk do të fshihet pas anës ligjore, por do të ishte i pari që të dilte e të thoshte se në një kohë kur Bashkimi Europian dhe miqtë tanë amerikanë janë aq të shqetësuar për dasitë e thella politike, unë do të jem i pari që të këmbëngul për një president konsensual”. Kjo, sipas Uidhers, do të ishte një udhëheqje me të vërtetë demokratike. Dhe na duket se ka plotësisht të drejtë. Një lider demokrat është ai që kërkon kufizimin e pushtetit të tij me anë pushtetesh të tjera që nuk varen prej tij. Në këtë rast, një lider i vërtetë demokrat do të kërkonte që kandidatura e Presidentit të mos ishte e tija, të mos dilte nga shumica. Por Berisha është nga ata liderë shqiptarë të cilëve, sikundër tha edhe Uidhers, “demokracia nuk i shkon për shtat”. Ndaj një “sakrifikim” i tillë i shansit për kapjen e postit të Presidentit i duket absurde Berishës dhe lakenjve të oborrit të tij që po pasurohen nga autokratizmi dhe korrupsioni që gjeneron ai. Të kenë mundësi ta zgjedhin Presidentin me 71 votat e tyre dhe të mos e bëjnë një gjë të tillë? Kjo u duket e fundbotëshme këtyre dallkaukëve autokratë! Madje, këtë zemërgjerësi politike që buron nga një mendësi lirie dhe bindjeje te demokracia, e quajnë edhe shkelje të Kushtetutës. Pikërisht një gjë të tillë ka parasysh Berisha kur nënvizon, kohë pa kohë, me fodullëk e karshillëk edhe ndaj sugjerimeve që vijnë nga bota perëndimore, se do të zbatojë Kushtetutën “pikë për pikë”. Në fakt, duke e zbatuar kështu Berisha dhe shumica e tij, në thelb, nuk do ta zbatonin por do ta dhunonin frymën e Kushtetutës “pikë për pikë”. Edhe pse do të maskonin autokratizmin e tyre me 2/5 e një neni të saj, që ata vetë e kanë deformuar më 21 prill 2008. Do të dhunojnë frymën e Kushtetutës dhe të demokracisë, që është ndarja e pushteteve, duke u maskuar me ca germa të një neni të Kushtetutës. Por duket se nuk do t’u ecë këtë herë. Tashmë ka mjaft sensibilitete të rritura që e ndiejnë se kapja e postit të Presidentit nga berishistët do të sillte konsolidimin e autokratizmit dhe dështimin e projektit të demokracisë në Shqipëri. Dhe besojmë se këtë SHBA-ja dhe Europa nuk mund ta pranojnë. Duket se kohë të vështira po afrojnë për autokratizmin.

Gazeta “Shqip”

Top Channel