Withers: Gërdeci ndryshoi Berishën

18/01/2012 00:00

Ish-ambasadori amerikan në Tiranë John Withers në një intervistë për Zërin e Amerikës, i shqetësuar për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, lëshon alarmin për devijimin e demokracisë shqiptare nga ai perëndimor drejt demokracive të ngjashme si ato në Ukrainë dhe Rusi.

Ambasador Withers: Është e vështirë ta ndjek aq afër sa ç’e ndiqja më parë. Tani unë nuk kam më pozitë zyrtare, jam thjesht një qytetar amerikan, por jam i shqetësuar për Shqipërinë,  jo përsa i takon energjisë dhe talentit, apo vullnetit të mirë të popullit shqiptar. Unë kam besim të plotë në gjenialitetin e popullit shqiptar, por shqetësohem për mënyrën sesi po shkon demokracia në Shqipëri. Shqetësohem se më duket se Shqipëria nuk po ndjek rrugën e demokracive perëndimore, por po shkon në drejtimin që po shkon Hungaria e cila po merr masa shtypëse ndaj medias, apo në drejtimin e Ukrainës, që përdor gjykatat për të sulmuar udhëheqës të opozitës apo për të mbrojtur aleatë politikë dhe miq. Mendoj se po ndjek drejtimin e Rusisë, ku zgjedhjet nuk janë në standardet ndërkombëtare, ashtu siç ne presim që t’i ketë një demokraci e zhvilluar. Këto gjëra më shqetësojnë.

Zëri i Amerikës e ka pyetur ish ambasadorin Withers se në kabllogramet që ai dërgonte  nga Shqipëria në Departamentin e Shtetit, ngrinte  pikërisht këto shqetësime, për gjendjen në të cilën ndodhet drejtësia, për korrupsionin në vend, problemet të tilla të rrënjosura në shoqërinë dhe politikën shqiptare. Pse mendoni se nuk ka qenë në gjendje Shqipëria t’i zgjidhë këto probleme?

Amabasador Withers: Më vjen keq ta them, por mendoj se ky është problem i udhëheqjes politike.  Mua më duket se ata përfaqësojnë interesat e fraksioneve dhe partive, përfaqësojnë interesin e ngushtë të mbajtjes së pushtetit,  jo të qeverisjes në shërbim të popullit. Shqipërisë i duhet një Skënderbe sot, më shumë se kurrë ndonjëherë më parë. Por në Shqipërinë e sotme nuk ka Skënderbegë dhe mua më vjen keq për një gjë të tillë.

Sipas zotit Withers Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të shkaktuar nga sistemi politik aktual.

Withers: Unë mendoj se sistemi politik, ta them shumë hapur, po dështon. Nuk është në gjendje të krijojë konsensus, nuk është në gjendje të identifikojë atë që do publiku dhe të punojnë për publikun. Më lejoni përsëri t’ju sjell një shembull të historisë. Një nga shprehjet më të famshme të Skënderbeut ishte: “Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj”. Ai i kuptonte aspiratat e publikut dhe këtij synimi ju përkushtua për ta arritur. Në Shqipërinë e sotme, një frymë e tillë është ende e pranishme: aspiratat e shqiptarëve për liri, për përparim. Pyetja ime është: Pse ata që janë në pushtet nuk e përqafojnë këtë frymë dhe ta çojnë përpara, pse pothuajse në çdo veprim që bëjnë, ata e thyejnë këtë frymë, që është kaq e qartë mes shqiptarëve në përgjithësi.

Gjatë kësaj interviste fshikulluese për klasën poltike shqiptare ish-ambasadori amerikan ngre një sërë pikpyetjesh për qeverisjen aktuale në Shqipëri.

Ambasador Withers:
Abraham Lincoln ka bërë përkufizimin më të thjeshtë dhe të përmbledhur për demokracinë: “Demokracia është qeveria e popullit, që buron nga populli dhe për popullin”. Dhe pyetja që i drejtoj popullit shqiptar është: “A e shihni ju një gjë të tillë tek udhëheqja juaj? A shihni një qeveri të popullit, apo shihni një qeveri të grupeve të vogla klanore, që votohet për të mbajtur vetveten në pushtet?  A shihni një qeveri të dalë nga populli, apo një qeveri që është e shkëputur nga populli, që ndjek interesat e veta, apo të partisë së vet dhe jo të gjithë popullit?  Dhe a shihni një qeveri për popullin, një qeveri që punon për çfarëdo partie që përfaqëson një udhëheqës politik, apo një qeveri që thjesht i dedikohet ruajtjes së pareshtur të pushtetit dhe jo një angazhim të fortë dhe të përkushtuar ndaj qeverisjes?”.

Zëri i Amerikës e ka pyetur zotin Withers edhe për kritikat që ai adresonte  gjatë mandatit për qeverinë dhe kryeministrin zotin Berisha, duke kërkuar një përgjigje se cfarë mendonte për stilin e tij të udhëheqjes.

Ambasador Withers: Më lejoni të them në fillim se kam dëgjuar që kryeministri ka pasur një rast kur nuk është ndjerë mirë me shëndet kohët e fundit dhe dua të përfitoj nga rasti t’i uroj të jetë mirë. Nga këndvështrimi im nuk ishin kritika ndaj kryeministrit, apo ndaj udhëheqësit të opozitës, apo ndaj ndonjë personaliteti tjetër në Shqipëri. Bëhej fjalë për politikat e tyre, bëhej fjalë për temën më të gjerë të parimeve të demokracisë, kjo ka rëndësi. Dhe nuk bëhet fjalë për të veçuar një individ as andej as këtej, sepse nuk është asgjë personale. Bëhet fjalë për të analizuar veprimet që nuk janë në përputhje me parimet e demokracisë. Mbështetja ime është për parimet demokratike në Shqipëri, gjë që mendoj se pasqyron si interesat e popullit shqiptar, ashtu edhe atij amerikan. Ne duam të shohim një demokraci të shëndetshme në Shqipëri. Pra nuk është fjala tek individë të caktuar, por tek strukturat, parimet, është fjala për krijimin e institucioneve të shëndetshme.

Toni i ish-ambasadorit të SHBA ashpërsohet kur ai flet për ngjarjen e 21 Janarit dhe për sulmet që morën prokurorët që po hetonin këtë ngjarje të rëndë.

Withers: Kur qeveria sulmon institucionet e demokracisë dhe kur injoron parimet e demokracisë, kjo është diçka që më shqetëson thellësisht. Më lejoni t’ju jap një shembull: Jemi shumë pranë një vjetorit të ngjarjeve të 21 janarit. Katër vetë vdiqën, u derdh gjak në rrugët e Tiranës, gjak i çmuar shqiptarësh. Të shkon mendja që në rrethana të tilla, qeveria do të ishte e para që do të donte të zbulonte se çfarë ndodhi në të vërtetë, që do të donte t’u jepte gjithë mbështetjen e mundshme hetuesit dhe prokurorëve për të zbuluar të vërtetën e asaj që ndodhi atë ditë. Por në vend që të bënte këtë, qeveria i sulmoi prokurorët dhe në këtë rast kryeministri përdori një gjuhë të tmerrshme kundër Prokurores së Përgjithshme, një gjuhë,  e cila që të flasim hapur ishte e padenjë. Ishte turpëruese për vendin. Një kryeministër nuk duhet t’i bëjë gjëra të tilla. Por çka është më e rëndësishme pse duhet të sulmonte kryeministri ata që kishte emëruar dhe u kishte dhënë forcë, në vend që të përpiqej t’i ndihmonte për të zbuluar të vërtetën. Kush i dha ato urdhra? Në gjithë botën policisë i jepet fuqi e madhe. Kush e dha urdhrin për të hapur zjarr? A po i mbahet ndonjë gjë e fshehtë publikut shqiptar lidhur me arsyet që e bëjnë qeverinë që të sulmojë ata që mund ta zbulojnë të vërtetën në vend që të bëjnë të kundërtën? Presidenti i Francës (Nicolas) Sarkozy foli për këtë. Ai po fliste për veprimet e qeverisë siriane ndaj popullit të vet dhe kur u pyet për ndryshimin mes sirianëve dhe shqiptarëve, përsa i takon incidentit të hapjes së zjarrit, ai tha se nuk ka asnjë ndryshim. Një jetë shqiptare është po aq e vlefshme sa edhe një jetë siriane, apo çdo jetë tjetër. Pse është  Presidenti i Francës më i shqetësuar për gjakun e shqiptarëve sesa udhëheqja e Shqipërisë?

Withers ka hedhur poshtë të gjitha akuzat se deklarimet e tij ishin personale dhe jo qëndrim i Departamentit Amerikan të shtetit duke i rikujtuar artikuluesve të akuzave se është gabim kur udhëheqësit përpiqen të bllokojnë mendimet e ndryshme dhe kritikat duke bërë lojra, ose manipulojnë të vërtetën për mënyrën sesi funksionon qeveria amerikane.

Pyetjes a pati një transformim në qëndrimin e tij pas ngjarjes së Gërdecit, sepse vetë kryeministri e ka pranuar që më parë marrëdhëniet ishin të mrekullueshme dhe diçka ndryshoi pas kësaj ngjarjeje. Si do ta karakterizonit këtë ndryshim? Ambasadori Withers i ka dhënë këtë përgjigje:

Ambasador Withers: Pa dyshim që diçka ndryshoi, por nuk isha unë që ndryshova. Mendoj se ai incident ishte një pikë kthese për këtë qeveri, sepse deri atëherë, ndoshta ngaqë anëtarësimi në NATO nuk kishte marrë fund, por deri atëherë qëndrimi i qeverisë ndaj institucioneve, veçanërisht atij të drejtësisë, kishte qenë shumë më pozitiv. Menjëherë pasi ndodhën shpërthimet e Gërdecit, qeveria ndryshoi qëndrim. Sulmet ndaj gjykatave, ndaj prokurorëve, kundër medias u bënë dominuese dhe për një person si unë, që nuk isha mësuar me një gjë të tillë, të pamundura për ta kuptuar. Letrat që Kryetarja e Parlamentit i dërgonte Prokurores së Përgjithshme, shkelnin në mënyrë flagrante kufirin mes dy pushteteve: atij legjislativ dhe gjyqësor, që në thelb, ishte një përpjekje për të imponuar se ç’duhet të bënte prokuroria. Sulme si ato ndaj Prokurores së Përgjithshme nuk i kisha parë kurrë. Dhe që nga ai moment përpjekjet për të kontrolluar se kush do të bëhej anëtar i gjykatës së lartë, sulmet ndaj asaj pjese të medias që thjesht po përpiqej të bënte punën e vet për të zbuluar se çfarë kishte ndodhur. Pastaj ishte situata e pazakontë që ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, për të cilin u gjykua që duhet të linte postin, u risoll në qeveri me një portofol tjetër. Pra përsëri mendja të shkon që këto veprime bien ndesh me mënyrën sesi funksionon demokracia. Po pse duhet ta bëjë një qeveri një gjë të tillë, pse nuk duhet të jetë organizmi kryesor, që të jetë i interesuar të zbulojë se çfarë ndodhi.

Withers ka komentuar edhe pafajsinë e Ilir Metës duke deklaruar se  përtej anës zyrtare, është e rëndësishme që perceptimi për politikanët në udhëheqje të jetë në një standard më të lartë  se gjithkush tjetër dhe shpresoj që perceptimi për këtë përfundim të mos jetë negativ as për veprimet e zotit Meta, dhe as për gjykatën. Ndërsa për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm Withers thotë se Bashkimi Europian dhe miqtë amerikanë janë aq të shqetësuar për ndasitë e thella politike, sa do të ishte i pari që do të këmbëngulë për një president konsensual.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta